Marrëveshja e Prespës, sot skadon afati për amendamentet

Sot skadon afati prej 15 ditëve për Qeverinë e Maqedonisë që të dorëzojë në Kuvend draft-amendamentet kushtetuese që janë pjesë e Marrëveshjes së Prespës.

Kuvendi më 19 tetor miratoi me shumicën absolute prej 80 deputetëve vendimin për hapjen e Kushtetutës dhe realizimin e ndryshimeve në përputhje me marrëveshjen për emrin me Greqinë.

Për këtë vendim votuan edhe 8 deputetë nga koalicioni i VMRO-DPMNE-së. Kryeministri Zoran Zaev ka zhvilluar konsulta me këta deputetë dhe deputetët e koalicionit të tij, për të vendosur që sot të dorëzohet drafti i amendamenteve.

Shtatë deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe ajo e Partisë Socialiste kërkojnë që të garantohet identiteti maqedonas, të miratohet amendament me të cilin parashihet që të shfuqizohen ndryshimet kushtetuese nëse parlamenti grek nuk ratifikon marrëveshjen e Prespës, si dhe emri për përdorim të brendshëm të zbatohet në faza gjatë procesit të anëtarësimit të Maqedonisë në BE.

Një kërkesë tjetër e tetë deputetëve opozitarë është formimi i trupit parlamentar për pajtim për të cilin duhet të punohet paralelisht me amendamentet kushtetuese. Por nga ana tjetër, janë refuzuar paraprakisht amendamentet e paralajmëruara nga ana e partive opozitare shqiptare ASH dhe BESA e Kasamit.

Pas marrëveshjes me deputetët amendamentet kushtetuese do të dërgohen për konsultim edhe në Athinë për të parë nëse të njëjtat janë të pranueshme edhe nga pala greke dhe janë në përputhje me Marrëveshjen e Prespës.

Nëse deri në fund të javës kalohen të gjitha këto procedura dhe amendamentet dorëzohen në Kuvend, atëherë shqyrtimi i tyre nga deputetët pritet të fillojë që në ditët e para të javës së ardhshme. Kjo do të ngarkojë edhe më shumë punën e parlamentarëve pasi paralelisht në institucionin më të lartë ligjvënës zhvillohet edhe debate për rishikimin e buxhetit të këtij viti, ku prej sot ka filluar shqyrtimi i amendamenteve për buxhetin, raporton Ina.

SHKARKO APP