Mattis akuzon Rusinë se po fut hundët në referendumin maqedonas

Shtetet e Bashkuara janë gati të mirëpresin Maqedoninë si anëtaren e 30-të e NATO-s nëse qytetarët e saj vendosin të mbështesin këtë rrugë në referendumin e ardhshëm, tha sekretari i mbrojtjes i SHBA-së James Mattis në Shkup të hënën, pas takimit me kryeministrin maqedonas Zoran Zaev dhe ministren e mbrojtjes Radmila Shekerinska.

Ai e përshkroi referendumin e 30 shtatorit, i cili mund t’i hapë vendit rrugën drejt NATO-s dhe BE-së, si ndoshta vendimin më të rëndësishëm në historinë e kohëve të fundit të Maqedonisë.

Sipas një marrëveshjeje të nënshkruar me Greqinë këtë verë, Maqedonia ra dakord të ndryshojë emrin e saj në Republika e Maqedonisë së Veriut, ndërsa Greqia pranoi të heqë veton e saj të gjatë për integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE.

Por që marrëveshja t’i japë fund mosmarrëveshjes që ajo të zbatohet plotësisht, maqedonasit duhet të tregojnë se e mbështesin atë në një referendum më 30 shtator.

Gjatë rrugës për në Shkup, Mattis gjithashtu u tha gazetarëve që udhëtonin me të se SHBA-ja “nuk ka asnjë dyshim” se Rusia ka financuar grupe që kërkojnë të mposhtin referendumin.

“Ata kanë transferuar para dhe po kryejnë edhe fushata më të gjera influencuese,” tha Mattis, njoftoi të hënën Washington Post.

Ai shtoi se ndërsa Rusia fshehurazi po u kalon para njerëzve dhe po përpiqet të krijojë parti kukulla në Maqedoni, SHBA-ja është e hapur dhe del ballazi duke shprehur mbështetjen e saj për një votim “po” në referendum.

“Duhet ta lëmë popullin maqedonas të vendosë vetë,” tha Mattis.

Rusia kundërshton fuqishëm zgjerimin e mëtejshëm të NATO-s në Europën Lindore dhe Ballkan, dhe SHBA e ka akuzuar atë se po zhvillon një fushate dizinformuese në Maqedoni nëpërmjet rrjeteve sociale, e projektuar të dekurajojë votuesit që të marrin pjesë në referendum.

Kryeministri i Maqedonisë u shpreh më i kujdesshëm të hënën, duke thënë se qeveria e tij nuk kishte zbuluar prova të forta për ndërhyrjen e drejtpërdrejtë ruse.

Ai tha gjithashtu se ndërsa vendi i tij kishte vendosur t’i bashkohej aleancës perëndimore,  ai gjithashtu donte miqësi me Rusinë.

Në korrik, Zaev akuzoi forcat pro-ruse për planifikimin e dhunës në Maqedoni. Ai më pas tha se policia kishte marrë informacione se biznesmenë grekë pro-rusë po paguanin njerëz që të shkaktonin dhunë në prag të referendumit.

Ambasada e Rusisë në Maqedoni mohoi ndonjë angazhim nga Moska në aktivitete të tilla.

Mattis është vetëm më i fundit në një sërë liderësh perëndimorë që po vizitojnë Maqedoninë dhe po shprehin mbështetje për referendumin e ardhshëm.

Ai u parapri së fundmi nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, kancelarja gjermane Angela Merkel, kancelari austriak Sebastian Kurz dhe shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

Komisioneri i zgjerimit të BE-së Johannes Hahn gjithashtu pritet të mbërrijë të hënën për të shprehur përsëri mbështetjen e tij për referendumin dhe për perspektivat që ai hap.

BIRN

SHKARKO APP