Mbi 500 refugjatë tentojnë kalimin drejt Maqedonisë së Veriut
Qindra refugjatë nga pjesë të ndryshme të botës janë mbledhur afër një kampi në Selanik, ndërsa prej aty ata po planifikojnë të kalojnë në Maqedoninë Veriore. Qëllimi i tyre është që përmes vendeve të Ballkanit Perëndimor, të hyjnë në vendet e Evropës për të kërkuar azil.
Autoritetet greke kanë njoftuar se mbi 500 refugjatë, mes tyre familje më fëmijë kanë ngritur tenda dhe çadra në një fushë misri, disa kilometra në perëndim të Selanikut. Refugjatët thanë se iu përgjigjen një thirrje anonime në rrjetet sociale për të shkuar në kufirin grek, afër territorit të Maqedonisë së Veriut.
Një ditë më parë, autoritetet janë përfshirë në përplasje fizike me një refugjat nga Iraku, i cili në përplasje e sipër i shkaktoi dëmtime fizike një oficeri policie, raportojnë mediat greke.
“Për fat të keq disa nga azilkërkuesit të vendosur në Greqinë veriore u mashtruan nga dezinformata përmes rrjeteve sociale”, tha një burim për media greke për agjencinë e lajmeve “ANA-MPA”.
Kjo rrugë që përmes Ballkanit të dërgon në vendet e tjera të Evropës u mbyll në 2016, ndërsa agjencia e OKB ka paralajmëruar refugjatët të mos bien pre e informacioneve të gënjeshtërta në rrjetet sociale, pasi një tentativë e tillë për të kaluar kufirin, do të ketë pasoja të rënda.