Mediat e Beogradit: Format i ri dialogut, përfshihen SHBA dhe Rusia, Gjermania me emisar special
Përderisa po pritet vazhdimi i dialogut në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, prapa skenave letrat po përzihen përsëri brenda Bashkimit Evropian, shkruajnë mediat serbe.
Sipas Blic, Gjermania ka sugjeruar që në vend të shefes së diplomacisë së Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, dialogu të ndërmjetësohet nga një përfaqësues special i BE’së.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që nga rrethi i parë, në marsin e 2011, ndërmjetësohet nga Brukseli. Në muajt e fundit, është thënë se ai mund të vazhdohet në një format të ri, në të cilin Amerika do të përfshihej si këshilluese, që do t’i shkonte për shtati Kosovës, por edhe Rusia, që është ide e Serbisë.
Një burim i gazetës serbe Blic ka thënë se disa vende po kërkojnë që të përfshihet një përfaqësues special.
Gjermania, sipas këtij burimi, dëshiron që të marrë rolin e përfaqësuesit special në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që do të caktohej nga ministrja e jashtme e BE’së, Mogherini, transmeton Gazeta Express.
Arsyeja për këtë, shkruan Blic, është se Mogherini merret më shumë punë në të njëjtën kohë, dhe nuk ka kohë për t’ia kushtuar vëmendjen e plotë dialogut, dhe për zgjedhur problemet që do të shfaqen gjatë negociatave. Prandaj, një përfaqësues special mendohet se do të kryente punë më shumë.
Ky propozim, sipas medias beogradase, është bërë me qëllim përshpejtimin e dialogut.
Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, i ka konfirmuar këto plane. Ai ka thënë për Blic se është e paqartë se çfarë do të përfitonte Serbia nga ky ndryshim.
“Dyshoj se Serbia do të përfitonte nga kjo, e dimë se çfarë është disponimi i Perëndimit karshi Beogradit dhe statusit në dialog. Çështja është se kush do të ishte ky përfaqësues special dhe çfarë do të ishte qëndrimi i tij karshi Serbisë. Është e qartë se qëllimi i këtij propozimi është zgjidhja e çështjes së Kosovës sa më shpejt të jetë e mundur, dhe që të rritet trysnia më shumë ndaj Beogradit, sesa ndaj Prishtinës”, ka thënë Daçiq. /Express/