Megaskandali i korrupsionit në Greqi, cilët janë politikanët e përfshirë (Emrat)

Skandali me protagonistë emra të fuqishëm të politikës greke po merr përmasa të paparashikuara. Në dosjen gjyqësore të dorëzuar në parlamentin grek përfshihen ish-kryeministri Andonis Samaras, ish-kryeministri Panajotis Pikramenos, Dhimitris Avramopulos, ish-ministër i Jashtëm, Andreas Loverdhos ish-ministër i Shëndetësisë, Andreas Likurenxhos ish-ministër i Shëndetësisë, Marios Salmas, ish-zv/ministër i Shëndetësisë, Adhonis Jeorgjiadhis, ish-ministër i Shëndetësisë, Ioani Sturnaras ish-ministër i Ekonomisë, Evangjelos Venizelos ish-ministër i Ekonomisë dhe ish- zv/kryeministër, Jorgos Kutrumanis ish-ministër i Punës dhe Sigurimeve Shoqërore; të cilët akuzohen për ryshfet, shpërdorim detyre dhe dëmtim të shtetit.

Reagimet e të akuzuarve kanë qenë të menjëhershme, nga të gjithë të akuzuarit, me deklarata në median greke, ndërsa ish-kryeministri Andonis Samaras ka ngritur padi kundër kryeministrit Aleksis Cipras dhe ministrit të Shëndetësisë, Pavlos Polakis, për shpifje.

Skandali i qindra milionave ka pushtuar median vendase prej ditësh, ndërkohë që nuk është dhe çështje e re. Kompania farmaceutike zvicerane “Novartis”, krijuar më 1996 ka një histori të vjetër në prodhimin e barnave e produkteve të ndryshme farmaceutike. Denoncimi i parë kundër metodave dyshuese që ndiqte kompania për të mbizotëruar tregun botëror u bë në Amerikë në vitin 2014, nga kompani rivale. Dy vitet e fundit prokurorë amerikanë dhe FBI vazhdojnë investigimet duke zbuluar shumë nga metodat sekrete, shkeljet masive ligjore dhe ryshfetet e shumta në figura të caktuara politike për të siguruar terren ekskluziv në tregun farmaceutik.

Një vit më parë, media greke “Documento” zbuloi politikën e ndjekur për “Novartis” në Greqi nga viti 2008. Greqia kishte një rëndësi të veçantë jo vetëm si fuqi blerëse, por kryesisht si vendi europian që vendos çmimet e ilaçeve në gjithë tregun mbarëeuropian, përderisa pika e referimit në listën e çmimeve janë tre vendet më të lira në BE, domethënë Greqia, në disa raste dhe Portugalia.

“Novartis” sillte në tregun grek e në të gjithë Europën, produktet e saj me çmimet e vendeve të para ku qarkullonin, ato të Britanisë apo Gjermanisë, tepër të larta për t’u përballuar diku tjetër, por pa patur mundësinë të kundërshtohet çmimi i produktit, përderisa Greqia përcakton vlerën.

Mesa duket, në Greqi kompania kishte fitime të dyfishta. Përveç rritjes së çmimit të produkteve kundrejt të tjerave, në heshtje, arriti të depërtojë në tregun vendas me ilaçe të kostos tepër të lartë, për një kategori të madhe pacientësh. Këtu ndihmuan vendimet politike të ministrave, të cilat vërtetohen nga katalogët e çmimeve të ilaçeve të caktuara, që importonte “Novartis” në Greqi, në periudhën përkatëse.

Çështja ka marrë përmasa të paparashikuara e sa dalin në dritë çdo ditë, nga dëshmitë që vërshojnë pafund në media, janë shokuese. Në një artikull thuhet se P.Pikramenos ka marrë rreth 100.000 euro për të favorizuar kompaninë, DH. Avramopulos rreth 40 milionë euro, A. Loverdhos i merrte me valixhe kartëmonedhat e më tej i pastronte në kompani me pajisje elektronike, A.Samaras përdorte një valixhe të caktuar për ryshfetet, me ngjyrat lela-të verdhë, Salmas në një ditë vendosi 120.000 euro në xhepin e brendshëm të xhaketës, ndërsa E. Venizelos përdorte deputetin e tij A. Linxheris si transportues i ryshfeteve.

Dosja gjyqësore nga dje është dorëzuar në parlamentin grek për të filluar shqyrtimi ligjor sa më shpejt, ndërsa zhvillimet janë të shumta e të shpejta dhe nxjerrin çdo ditë të papritura.

SHKARKO APP