Merkel: T’i japim Ballkanit perspektivë europiane
Kancelarja gjermane, paralajmëroi të dielën për rreziqet që sjell braktisja e rendit ndërkombëtar të pasluftës në favor të proteksionizmit, duke shprehur kundërvënien e saj të hapur ndaj qëndrimit të administratës amerikane në këtë çështje.
Angela Merkel tha se ndërsa institucionet si Këshilli i Sigurimit i OKB-së kanë nevojë për reforma, shkatërrimi i tyre “pa krijuar diçka të re” do të ishte “shumë i rrezikshëm” dhe një kërcënim për “rendin tonë paqësor”.
Ajo i bëri komentet në një simpozium politik europian në bazilikën e Manastirit Ottobeuren.
Zonja Merkel tha se për të hequr qafe migracionin e paligjshëm dhe kontrabandistët apo trafikantët, “ne duhet t’u japim vendeve afrikane një perspektivë zhvillimi”.
“Jam thellësisht e bindur se kjo është e mundur,” tha ajo.
“Për hir të paqes, – tha zonja Merkel, – ne gjithashtu duhet t’u japim vendeve të Ballkanit Perëndimor mundësinë e anëtarësimit, edhe pse kjo është e ndërlikuar.”
“Kur ndonjëherë lexoj raportet e agjencive tona mbi çështjen e korrupsionit në vendet e Ballkanit Perëndimor, edhe unë shqetësohem,” tha kancelarja gjermane.
“Por kur mendon se çfarë lufte ka patur atje pak kohë më parë dhe sa e brishtë është situata, atëherë është në interesin tonë strategjik t’u japim këtyre vendeve një perspektivë evropiane, edhe pse përsëri kjo do të kërkojë një numër vitesh,” tha ajo./VOA