Merkel tur në Ballkan, darkë private në Tiranë me liderët e rajonit
Zyra e kancelares gjermane ka dhënë detaje për turin që Angela Merkel do të zhvillojë në Ballkanin Perëndimor. Ndalesa e parë është në Beograd, aty ku do të zhvillojë një takim me presidentin Aleksandër Vuçiç.
Një ditë më pas, më 14 shtator do të jetë në Tiranë, ku do të ketë një takim dypalësh me kryeministrin, Edi Rama. Më pas e pret një darkë e përbashkët në Tiranë, ku do të marrin pjesë krerët e qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.
Diskutimi do të përqëndrohet në çështje bilaterale, ekonomike dhe për integrimin në Bashkimin Europian. Mbetet për t’u parë se cilat do të jenë porositë që kancelarja do t’u japë politikanëve para largimit nga detyra si kancelare, post që e ka mbajtur për 16 vite.