Mesazhi i Hahn në Shkup: Qytetarët të vendosin për të ardhmen

Nga Shkupi, atje ku zhvilloi edhe ndalesën e parë, eurokomioneri Johannes Hahn dha mesazhin e qartë për të gjithë ata vende që duan të jenë pjesë e Bashkimit Europian. Pasi mori pjesë në mbledhjen e qeverisë maqedonase, Hahn zhvilloi edhe një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Zoran Zaev. Zyrtari i BE tha se Maqedonia duhet të përgatitet për bisedimet me BE-në.

“Kam kënaqësinë që jam përsëri në Shkup, asnjëherë nuk do të harroj atë që kam kaluar këtu. Sot mund të jap disa lajme të mira për vendin tuaj për integrimet euroatlantike. Dua t’ju uroj për ftesën që morët nga NATO. Është hap i madh, pasi qytetarët do të jenë më të sigurt dhe me më shumë perspektivë. Populli i këtij vendi ka treguar durim dhe tani jeni shembull për gjithë rajonin. Ju falënderoj për vendosmërinë tuaj. Unë do të angazhohem edhe më tej dhe do t’ju ndihmoj në çdo hap të ardhshëm. Tani ju mbetet juve, qytetarëve që të vendosni për të ardhmen tuaj. Dera e BE-së është e hapur, juve ju mbetet ta shfrytëzoni këtë mundësi duke marrë pjesë në referendum, sidomos të rinjtë. Është e rëndësishme të merret pjesë në referendum dhe të shfrytëzohet e drejta e votës. Bëhet fjalë për vendin tuaj dhe të ardhmen tuaj. Përparimin e Maqedonisë e ka pranuar edhe Këshilli i Evropës. Sot jam këtu që të fillojmë zyrtarisht procesin e përgatitjes për bisedimet me BE-në. Këto aktivitete zbatohen me gjitha vendet-kandidate, do të thotë nuk janë vetëm për Maqedoninë”, tha Hahn.

Ndërkohë kryeministri Zoran Zaev shtoi se pas reformave që realizoi vendi gjatë periudhës së kaluar, është koha që vendi të përgatitet për bisedimet me Bashkimin Evropian.

“Maqedonia ka arsye të festojë, pasi do të fillojë bisedimet me NATO-n dhe BE-në. Më herët me Hahn dhe Mogherinin jemi marrë vesh që të fillojmë të përmbushim kushtet për anëtarësim në BE. Maqedonia përmes planit 3-6-9 kemi arritur reforma në gjyqësor, administratë. Vitin e kaluar kemi shënuar dy suksese në fushën e fqinjësisë së mirë: marrëveshjen me Greqinë dhe Bullgarinë. Sot në seancë qeveritare Hahn na njoftoi për procesin, ndërsa ne kemi sjell disa përfundime: Bujar Osmani do të jetë shef i delegacionit që do të bisedojë me BE-në, Zoran Mariçicc do të jetë këshilltarë i veçantë. Bisedimet me BE-në janë detyrë historike për gjitha institucionet”, tha Zaev.

SHKARKO APP