Mijëra serbë protestojnë në rrugë. Lëkundet pushteti i Vuçiç
Mijëra veta parakaluan rrugëve qendrore të Beogradit të ngrirë nga të ftohtët, për të protestuar kundër presidentit serb, Aleksandër Vuçiç dhe Partisë së tij Përparimtare, dukë kërkuar liri për mediet dhe që t’u jepet fund sulmeve ndaj gazetarëve dhe opozitës.
Gjatë protestave me sloganin “një nga pesë milionë”, që filluan në dhjetor me moton “stop këmishëve të përgjakura”, pjesëmarrësit fishkëllenin dhe mbanin parulla në të cilat pos tjerash presidenti serb quhej “hajdut”.
Protestat që të shtunën u mbajtën edhe në qytetin Kragujevcit dhe në Novi Sad, u nxitën nga një incident në muajin nëntor në të cilin politikani opozitar, Borisllav Stefanoviç, u sulmua nga një grup burrash me maska të zeza në Krushevc, një qytet në jug të Serbisë.
Veprimtarët e opozitës thonë se presidenti Vuçiç është një autokrat dhe e cilësojnë partinë e tij të korruptuar. Protestuesit kërkuan më shumë mbulim të grupeve opozitare nga televizionin publik si dhe hetime të thella të sulmeve ndaj gazetarëve dhe politikanëve të opozitës.
Presidenti Vuçiç, kishte thënë më herët se nuk do t’u përgjigjet kërkesave të opozitës edhe nëse “pese milion dalin në rrugë”, por la të hapur mundësinë që të çojë vendin ne zgjedhje për të sprovuar popullaritetin e partisë së tij.
Mbështetja për presidentin Vuçiç ka shënuar një rënie të vogël pas fitores së tij të thellë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, por ai mbetet udhëheqësi politik më popullor dhe koalicioni i tij në pushtet ka një shumicë të qëndrueshme prej 160 deputetësh në parlamentin me 250 vende.
Një anketë e kryer në muajin tetor tregon se partia e Partia Përparimtare Serbe gëzon një mbështetje prej 53.3 për qind.
Nëse opozita do të dilte e bashkuar në zgjedhje, sipas anketës, do të mund të fitonte rreth 15 për qind të votave.
Protestat e opozitës janë të rralla në Serbi që nga trazirat popullore të vitit 2000 që rrezuan ish presidentin Slobodan Millosheviç, i cili më pas vdiq në vitin 2006 në Hagë derisa po gjykohej për krime lufte dhe gjenocid në hapësirat e ish Jugosllavisë.
Aleksandër Vuçiç, një nacionalist i zjarrtë gjatë shkatërrimit të dhunshëm të ish-Jugosllavisë në vitet e 90-ta, më vonë përqafoi vlerat evropiane dhe vendosi anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian si qëllimin strategjik të vendit. Ai gjithashtu mban lidhje të ngushta me Rusinë dhe Kinën.