Ministrat e qeverisë së re të Serbisë

Parlamenti i Serbisë votoi me 163 vota pro dhe 62 kundër kabinetin e ri qeveritar. Kryeministri mbetet i njëjti, por ka dhe disa ndryshime.

Nga Autor Bahri Cani

Kabinetin e ri qeveritar e përbëjnë sërish Partia Përparimtare Serbe dhe Partia Socialiste, por ka dhe disa ministra jashtë tyre. Pas gati katër muaj negociatash dhe bisedimesh me partnerë të mundshëm, kryeministri i ri/vjetër Aleksandar Vuçiq, paraqiti përbërjen e qeverisë së re, e cila u votua me shumicë të madhe. Në fjalimin e tij maratonik, Vuçiqi theksoi se Serbia do të vazhdojë rrugën e afrimit me Bashkimin Evropian, por do të vazhdojë të mbajë raporte shumë të ngushta edhe me Rusinë. Vuçiq i kërkoi vet zgjedhjet në prill të këtij viti, me qëllim që të konfirmojë mbështetjen për kursin e tij pro-evropian.

Në betim përmendet edhe Kosova

Një prej kërkesave të shpeshta në rrugën e afrimit të Serbisë me Bashkimin Evropian është normalizimi i plotë i raporteve me Kosovën si dhe ndryshimet e Kushtetutës, ku thuhet se Kosova është pjesë e pandashme e Serbisë. Vuçiq deklaroi këto ditë se zgjidhja më e lehtë do të ishte “njohja e pavarësisë së Kosovës”, por këtë “nuk do ta bëj askuksh në Serbi”.

Në betimin e ministrave ndër të tjera thuhet: “Betohem për besnikëri ndaj Republikës së Serbisë dhe zotohem se me nder do ta respektoj Kushtetutën dhe ligjin, që detyrën e anëtarit të qeverisë do ta kryej me përgjegjësi, ndërgjegje dhe do të jem i përkushtuar për ruajtjen e Kosovës dhe Metohisë brenda Republikës së Serbisë”.

Kabineti i ri qeveritar i Serbisë do të ketë 19 anëtarë.

Aleksandar Vuçiq – kryeministër

Ivica Daçiq – zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme

Nebojsha Stefanoviq – zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Brendshme

Zorana Mihajlloviq – zëvendëskryeministre dhe ministre e Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës

Rasim Ljajiq – zëvendëskryeministër dhe ministër i Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit

Dushan Vujoviq – ministër i Financave

Goran Knezheviq – ministër i Ekonomisë

Branislav Nedimoviq – ministër i Bujqësisë dhe Mbrojtjes së Mjedisit

Nella Kuburoviq – ministre e Drejtësisë

Ana Brnabiq – ministre e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale

Zoran Gjorgjeviq – ministër i Mbrojtjes

Aleksandar Antiq – ministër i Minierave dhe Energjisë

Mlladen Sharqeviq – ministër për Arsim dhe Shkencë

Zllatibor Lonçar – ministër i Shëndetësisë

Aleksandar Vulin – ministër i Punës dhe Punësimit

Vanja Udoviçiq – ministër për Rini e Sport

Vlladan Vukosavleviq – ministër për Kulturë dhe Informim

Jadranka Joksimoviq – ministre pa portofol

Slavica Ghukiq Dejanoviq – ministre pa portofol

DW

SHKARKO APP