Ministri i Jashtëm grek: Shqiptarët kundërshtojnë emrin ‘Sllavomaqedonia’
Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, ka përmendur, ndoshta për herë të parë, se implikimet për çështjen e emrit të Maqedonisë, lidhen edhe me faktorin shqiptar. Gjatë një interviste për tv Antena 1, Kotzias është pyetur për variante “Sllavomaqedonia” dhe “Maqedonia e Re”, me idenë nëse kompromisi merr parasysh kriterin gjeografik apo edhe diçka tjetër.
Sipas ministrit, emri i parë përjashtohet sepse atë e kundërshtojnë shqiptarët.
“Emri Sllavamaqedonia, i referohet sllavëve, që janë një nga komponentët e shtetit që sot e quajmë FYROM.
Shqiptarët e kundërshtojnë drejtpërdrejt çdo emër si “Sllavomqedonia”, sepse ata besojnë se i përjashton si komponent i këtij shteti. Qeveria po diskuton për një emër të pranueshëm për të gjitha përdorimet”, është shprehur Kotzias. Çështja e emrit vijon prej më shumë se dy dekadash mes Greqisë dhe Maqedonisë, ndërkohë që negociatat e tanishme që po i afrohen një konkluzioni, marrin në konsideratë edhe faktorin shqiptar.