Ministri i jashtëm i Maqedonisë Poposki reagon ndaj deklaratës së Bushatit,
Ministri i Jashtëm i Republikës së Maqedonisë, Nikolla Poposki, ka reaguar ndaj intervistës së ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati, i cili duke folur për një media vendase nga Tirana për platformën e partive politike shqiptare në Maqedoni, popullit maqedonas iu referua me termin “sllavo-maqedonasit”.
Në reagimin me shkrim të Poposkit thuhet se “nuk është mirë që politikanë nga rajoni të ndërmarrin hapa për nevojat për zgjedhjet e ardhshme. Qëllimi i tyre ka lënë përshtypjen se udhëheqin me të gjitha partitë politike me prefiks kombëtar në rajon. Gjithsesi se kjo bëhet për përdorim të brendshëm dhe për rejtingun në shtëpi. Këto praktika janë jashtë çdo bashkëpunimi ndërfqinjësor normal. Është më së miri që para se çdo përpjekje për të demonstruar lidership global, secili të sheh oborrin e tij. Kështu, politikanët në këto vende do të përqendrohen në përmirësimin e dobësive të brendshme”, shkruan ai.
Poposki shkruan më tej se problemet me sistemin e drejtësisë, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të njeriut janë në mesin e atyre që Komisioni Evropian i ka identifikuar në raportin për Shqipërinë, por edhe në vende të tjera.
“Objektivisht, ne kemi mjaftueshëm probleme të brendshme për t’u marrë me të tjerët. Natyrisht, pikat e mësipërme duhet të jenë prioritet, para futjes së një politikani në interpretimet e Kushtetutës së vendit fqinj. Unë nuk besoj se ky është një prioritet për taksapaguesit në shtetin e tij, veçanërisht kur ka shumë çështje të pazgjidhura në shtëpi”, thotë ai.
Në reagimin e Poposkit thuhet se kush dhe si e emëron dikë tjetër është reflektim i respektit dhe edukatës. “Ne jemi maqedonas dhe asgjë më shumë, por as më pak. Asnjë demokrat nuk ka nevojë të etiketojë në nivel të grupit apo fisit. Sot në Evropë është i nevojshëm një fjalor dhe kulturë nga viti 2017, dhe jo nga viti 1913”, ishte reagimi i ministrit të Jashtëm të Maqedonisë, Nikolla Poposki.
Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, në intervistën e dhënë disa ditë më parë ka thënë se, “Barazia, liria dhe demokracia si tre elemente themelore të Marrëveshjes së Ohrit nuk janë zbatuar në mënyrën e duhur“.
Në fjalën e tij ai është shprehur se Shqipëria nuk ka ndërhyrë në punët e brendshme të Maqedonisë dhe nuk ka asnjë interes për koalicionet.
Në deklaratën e tij ai është shprehur: “Barazia, liria dhe demokracia si tre elemente themelore të Marrëveshjes së Ohrit nuk janë zbatuar në mënyrën e duhur, apo në atë mënyrë siç parashikonte Marrëveshja e Ohrit, çka të lë një përshtypje apo shije të hidhur që kemi të bëjmë me dy komunitete, që në fakt janë shtetformues, sllavo-maqedonasit dhe shqiptarët, të cilët pak komunikojnë me njëri-tjetrin. Besoj se ky është momenti i artë për faktorin politik shqiptar për t’u bërë së bashku dhe për të avancuar këto çështje”.-AA