Ministri i Jashtëm i Maqedonisë: SHBA-ja përfshihet në zgjidhjen e kontestit të emrit

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov ka udhëtuar për të Shtetet e Bashkuara të Amerikës në negociata të reja për zgjidhjen e kontestit të emrit, pas refuzimit të Athinës së propozimit “Republika e Maqedonisë së Ilindenit”, që ishte shpallur të shtunën në Shkup nga kryeministri, Zoran Zaev.

Dimitrov, në New York do të takohet me homologun e tij grek, Nikos Kotzias i cili në anën tjetër ka realizuar takime me zyrtarë të lartë amerikanë, të cilët janë përfshirë në përpjekjet për zgjidhjen e kontestit.

Pas takimit me sekretarin amerikan të shtetit, Mike Pompeo, kreu i diplomacisë greke në mënyrë të tërthortë konfirmoi se Athina nuk mendon më për propozimin e fundit “Republika e Maqedonisë së Ilindenit”.

“Ne vazhdojmë me nevojën për të pranuar një nga emrat e propozuar nga ndërmjetësi, Nimic. Nuk pajtohemi, siç e dini, me emrin e pestë të propozimeve të tij “Republika e Maqedonisë (Shkupi)” dhe vazhdojmë para në kërkim të një plani strategjik për bashkëpunim miqësor me këtë shtet me emrin e ri të tij”, transmetojnë mediat deklaratën e ministrit Kotzias, shkruan REL.

Zyrtarët maqedonas nga ana tjetër thonë se nuk heqin dorë nga propozimi, me të cilin siç thonë, nuk rrezikohet identiteti ndërsa si i tillë, sipas kryeministrit, Zoran Zaev është i pranueshëm edhe për bashkësitë tjerë etnike.

Pavarësisht dallimeve në qëndrime, ish Ministri i Punëve të Jashtme, Denko Maleski beson se mund të arrihet një kompromis. Optimizmin ai e bazon në mbështetjen e forcuar të bashkësisë ndërkombëtare, e cila si asnjëherë më parë është e angazhuar në mbylljen e kontestit 27 vjeçar.

“Intervenimi i nënpresidentit amerikan, Mike Pence, i cili i ka telefonuar shefit të diplomacisë greke, Kotziajs konkretisht për këtë çështje është diçka e paprecedent që flet për momentin veçantë në të cilin ndodhet Maqedonia e cila kërkon që për nevojat e saj ta zgjidh këtë problem dhe të bëhet pjesë e aleancave perëndimore, e të cilat nga ana tjetër kanë një interes të fuqishëm që ta përfshijnë Maqedoninë në strukturat e tyre dhe të jetë sa më larg ndikimeve të mundshme ruse”, thotë Maleski.

Bekim Kadriu, profesor i së drejtës ndërkombëtare, tha se pavarësisht refuzimit të propozimit nga pala greke, me rëndësi, sipas tij, është se procesi negociues vazhdon dhe se të gjitha opsionet mbeten të hapura.

“Nuk mund të themi asgjë lidhur me zgjidhjen përfundimtare të kontestit për shkak se propozim emri në fakt nuk pranohet nga pala greke. Por, momentalisht është mirë pasi e dimë se për çfarë bëhen negociatat. Vlerësoj se nuk duhet të ketë asgjë negative në këtë pasi negociatat vazhdojnë, fundja nëse ky emër nuk pranohet nuk do të thotë se nuk do të pranohet ndonjë emër tjetër, qoftë me ndryshimet të elementeve tjera të pakos. Kryesorja është se ndonjë krizë në negociata nuk ka dhe të gjitha mundësitë apo alternativat janë të hapura”, thotë Kadriu.

Ai dhe Maleski thonë se kompromisi mund të arrihet vetëm nëse të dyja palët bëjnë lëshime pasi ato tashmë e kanë kuptuar se nga zgjidhja e këtij kontesti fitojnë dy shtetet.

SHKARKO APP