Misioni “Top secret” i BE në Maqedoni?!

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiç thotë se situata në Maqedoni është serioze pas dështimit të takimit të vjenës. Ajo paralajmëroi masa nga ana e BE, por nuk bëri të ditur se çfarë do të jenë ato.

“E dini se për sot ishte planifikuar takimi i komisionarit Hahn dhe tre eurodeputetëve me liderët e politikës të IRJM-së në Vjenë.

Për fat të keq ky takim, qëllimi i të cilit ishte që të ndihmojë vendin që të gjejë rrugën në zbatimin e obligimeve të Marrëveshjes së Përzhinës, nuk u mbajt. Ne si BE mbetemi të hapur që t’i ndihmojmë vendit, por përgjegjësia për gjetjen e zgjidhjes së krizës është në duart e liderëve politik.

Në deklaratën e përbashkët thamë se në mungesë të përparimit të mëtejmë jemi të detyruar që të ndërmarrim aksione që të përmbushim kërkesat e Këshillit të Evropës, Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian. Nuk do të spekuloj se çfarë do të thotë kjo, por e qartë është se situata është serioze.”- deklaroi zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiç.

Por, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiç, nuk përcaktoi fajtorin për dështimin e bisedimeve në metropolin austriak.

Ajo sërish u thirr në deklaratën e përbashkët të eurokomisarit, Johanes Hahn, dhe tre eurodeputetëve, të cilët janë shprehur se mbeten të përkushtuar dhe në dispozicion të liderëve për të nxjerrë vendin nga kriza./ INA

SHKARKO APP