“Moody’s” për Greqinë: “Shlyerja e parakohshme e kredive të FMN, pozitive për kreditin”
Shlyerja e parakohshme e kredive të Fondit Monetar Ndërkombëtar nga Greqia, do të përmirësojë profilin e kreditit të vendit, pasi do të ulë shpenzimet për interesa dhe zgjasë profilin e maturimit të borxhit, sipas agjencisë Moody’s.
Kreditë e FMN përbëjnë 2.6% të borxhit publik të Greqisë, por bartin norma të interesit shumë më të larta se interesat e kredive nga kreditorët europianë dhe obligacioneve të fundit të qeverisë. Për më tepër, kreditë e fondit kanë një kohëzgjatje shumë më të shkurtër se kreditë që Greqia mori nga Fondi Europian i Stabilitetit Financiar dhe Mekanizmi Europian i Stabilitetit, për t’i shpëtuar krizës.
Greqia planifikon të shlyejë 3.7 miliardë euro ndaj FMN këtë vit edhe tjetrin. Norma e interesit për kredinë e FMN qëndron në 5.13%, krahasuar me me 1.4% në mesatare për kreditë e institucioneve europiane apo 3.45% ndaj obligacionit 5-vjeçar të shitur së fundmi. Athina pret që shlyerja para kohe t’i kursejë rreth 150 milionë euro, apo 0.1% të Produktit te Brendshëm Bruto.
“Irlanda dhe Portugalia, që kanë zhvilluar shlyerje të hershme ndaj fondit kur ishin në fazën fillestare të rifitimit të aksesit në treg, siç është Greqia aktualisht, shtuan besimin e investitorëve”, përfundon Moody’s.