N/kryetari i Parlamentit të Malit të Zi: Nuk jemi të prekur nga kriza politike në Shqipëri
Nënkryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Genci Nimanbegu, në një lidhje me skype për Ora News tha se kriza politike në Shqipëri nuk prek drejtpërdrejt faktorin shqiptar në Mal të Zi. Ai tha se është përgjegjësi e liderëve politikë që të gjejnë emëruesin e përbashkët dhe të bashkëpunojnë.
Genci Nimanbegu: Ne nuk jemi drejtpërdrejt të prekur nga kjo krizë, por kredibiliteti i shtetit shqiptar, i kemi dëgjuar edhe eurodeputetët, por edhe ne që me zemër e ndjejmë çdo zhvillim apo sukses të Shqipërisë. Ndoshta apeli ynë nuk do të gjejë dyert e hapura, por është përgjegjësi e madhe e liderëve tuaj politik, subjekteve politike duhet të gjenden përbërësit e përbashkët për bashkëpunim në të ardhmen dhe për daljen nga ngërçi politik. Ne nuk bëjmë tifo për të majtën apo për të djathtën, ne bëjmë tifo për pozitën e shqiptarëve në terësi dhe kjo ka të bëjë me një Shqipëri sa më të fortë dhe demokratike.
Duke u ndalur tek samiti i Diasporës, Nimanbegu tha se komuniteti shqiptar në Mal të Zi nuk e ndjen veten si diasporë.
Genci Nimanbegu: Çdo tryezë që shërben për njoftimin qoftë të politikës të Shqipërisë, qoftë të diasporës është e mirëpritur nga ne. Në Mal të Zi është një debat i vogël, por është i rëndësishëm. Ne nuk e ndjejmë veten si diasporë dhe kjo duhet cekur. Kjo është thënë edhe nga ministri Majko. Ne nga trojet tona nuk jemi të ftuar si pjesëtarë të diasporës, por është një tryezë me të cilin mund të vazhdohet dhe të bisedohet mbi synimet tona.
Sipas zyrtarit të Parlamentit malazes, partitë shqiptare në këtë vend nuk mbështesin asnjë forcë politike në Shqipëri, por janë bashkëpunuese me të gjitha partitë.
Genci Nimanbegu: Ne nuk jemi të njëanshëm, apo të anshëm në favorizmin e një apo tjetri subjekti politike shqiptare. Me secilin duhet të bëjmë politikën sa më të mirë, ashtu si edhe ju nga Shqipëria me subjektet politike shqiptare në Mal të Zi.