Ndalet vrulli i maqedonasve, protesta kundër emrit përfundon me 20 persona
Mbishkrime “Zaev tradhtar”, flamuri me diellin e Kutleshit dhe këngë patriotike… Kështu është atmosfera para Kuvendit në Shkup ku një grup i vogël qytetarësh e bllokojnë tërë ditën qarkullimin rrugor.
Ata kërkojnë që Zaev të japë dorëheqje, ose të paktën, të mos e nënshkruajë marrëveshjen me Greqinë. Vlerësojnë se ajo është kapitulim për Maqedoninë, edhe pse disa pranojnë se nuk e kanë lexuar marrëveshjen.
Aktivistja Elizabeta Matevska: Marrëveshja do të thotë fshirje e popullit maqedonas, diçka që ka filluar shumë më herët që në vitin 1912, ndërsa tani po definohet. Këtë do e thosha.
Gazetarja: A e keni parë marrëveshjen, a e keni lexuar?
Elizabeta Matevska: T’ju them, fillova ta lexoj dhe çfarë t’ju them, u tmerrova.
Protestuesit thonë se do ta bllokojnë rrugën sa të munden. Përpiqen që në çdo kohë të ketë të paktën nga 21 persona, pasi ky është minimumi ligjor për bllokimin e rrugëve. Për jehonën e vogël ata i fajësojnë mediat.
Ana Bobikova- Mijakovska, kryetare e shoqatës së qytetarëve “Prerodba” – (Rilindja): 24 orë për çdo ditë pasi marrëveshja që do të nënshkruhet është para së gjithash antikushtetuese, jolegale, është tradhti dhe kapitulim .
Gazetarja: Përse jehona është e vogël?
Ana Bobikova- Mijakovska: Jehona nuk është aq e vogël, të fajësohet vetë populli maqedonas, aq sa ka terr medial këtu, sa informata të dozuara dhe të caktuara transmetohen në opinion.
Gazetarja: Por qartë duket, këtu janë 20 njerëz!
Ana Bobikova- Mijakovska: Po, njëra është të dorëzohesh dhe tjetër është se në çfarë mënyre manipulohet në opinion.
Për nesër grupi i tifozëve “Komiti” paralajmëruan protesta para Kuvendit.