Ndryshimi i emrit, protesta të dhunshme në Shkup
Në Shkup kanë nisur protesta të dhunshme kundër marrëveshjes së arritur mes Zaev dhe Tsipras për ndryshimin e emrit të Maqedonisë.
Protestat u përshkallëzuan në orët e mbrëmjes ku pati përleshje të dhunshme mes policisë dhe protestuesve, të cilët tentuan të thyejnë kordonin policor para Kuvendit të Maqedonisë.
Forcat e ndërhyrjes së shpejtë përdorën gazin lotsjellës dhe bomba paralizuese për t’i shpërndarë demonstruesit.
Nuk ka informacione për të plagosur, ndërkohë që objekti i Kuvendit është blinduar nga forca të shumta policore.
https://www.facebook.com/RSEMK/videos/10156017068238725/
Rreth orës 21:00 të mbrëmjes protestuesit u shtuan në numër, ndërsa nisi edhe dhuna me policinë. Gjatë ditës, në qytetin e Manastirit është mbajtur edhe një tjetër protesta nga partia e opozitës, VMRO DPMNE. Lideri I kësaj partie, Hristijan Mickovski, ka kritikuar ashpër kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, duke e quajtur “tradhtar të interesave kombëtare maqedonase”.
Ai ka thënë se partia që ai përfaqëson asnjëherë nuk do të njohë marrëveshjen e arritur në Prespë të Greqisë, duke paralajmëruar kështu bllokim në Kuvend, ku për ndryshimet kushtetuese nevojiten dy të tretat e votave, por edhe gjatë referendumit që parashihet të mbahet në vjeshtë.
Me marrëveshjen e nënshkruar të dielën midis ministrave të Jashtëm të Maqedonisë dhe Greqisë, Maqedonia do të njihet si “Republika e Maqedonisë së Veriut”.