Në 2025 Serbia në BE? Juncker në Beograd: Zgjidhni konfliktet

Pas Maqedonisë dhe Shqipërisë, ndalesa e radhës e turit ballkanik të Presidentit të Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker ishte Beogradi. Gjatë takimit me kreun e shtetit serb, Aleksandar Vuçiç, Juncker bëri thirrje për një marrëveshje ligjore detyruese mes Beogradit dhe Prishtinës.

Procesi i anëtarësimit, theksoi Presidenti i krahut ekzekutiv të BE-së, mbështetet në meritat e secilit vend kandidat, e rrjedhimisht edhe data e anëtarësimit të Serbisë varet prej saj.

“E di që shumë njerëz flasin për vitin 2025. Dua të jem i qartë. Ky nuk është premtim, por perspektivë, inkurajim, sepse vendi që synon të anëtarësohet, duhet të tregojë guxim në atë rrugë. Ne nuk mund të importojmë konflikte dypalëshe. Është me rëndësi që ato të zgjidhen para hyrjes në BE sepse duam që vendeve të Ballkanit t’u ofrojmë qëndrueshmëri dhe jo të bartim instabilitet”, deklaroi Juncker.

Ideja e kompromisit me Prishtinën gjeti dhe mbështetjen e Vuçiçit. Serbia, tha ai, duhet ta kuptojë sa është e rëndësishme një gjë e tillë, në të kundërtën, “do të mbytet në të kaluarën e saj”.

Presidenti serb nuk e sqaroi se cili mund të jetë kompromisi në fjalë, por kundërshtoi, siç tha, zërat në vendin e vet që thonë se “më e mira është të mbahet një konflikt i ngrirë, e madje shtoi se duhet të gjendet një zgjidhje historike për marrëdhëniet me shqiptarët, “në një mënyrë tjetër dhe jo me luftra dhe dy popujt më të numërt të jenë miq”.

SHKARKO APP