Në prag të vizitës së Erdogan, operacion anti-terrorizëm në Greqi, 9 të arrestuar
Para vizitës së Presidentit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, Athina zyrtare duket se ka marrë masa të rrepta sigurie.
Në kuadër të këtyre masave mediat greke raportojnë për zhvillimin e një operacioni anti-terrorizëm, në kuadër të së cilit janë arrestuar deri me tani 9 persona.
Gazeta “Ekathimerini” shkruan se aksioni është realizuar nga shërbimet e antiterrorist, të cilat kanë bastisur disa apartamente në Athinë mëngjesin e kësaj të marte, duke arrestuar nëntë persona të cilët do merren në pyetje pasi dyshohet të kenë lidhje me një grup militant ekstremist të majtë në Turqi.
“Deri tani janë arrestuar 9 persona, janë afganë dhe kurdë bazuar në dokumentet e tyre të identitetit. Gjatë bastisjes së shtëpive të tyre policia gjeti kavanozë që përmbajnë materiale shpërthyese të paspecifikuara ende, kabllo për t’u lidhur me detonatorë dhe laptopë “, tha një zyrtar i policisë për Reuters.
Një zyrtar i dytë i policisë konfirmoi se autoritetet po shqyrtonin lidhje me DHKP / C, një grup i jashtëligjshëm i fajësuar me herët edhe sulme kamikazë në Turqi.