Nëse zgjedhja është mes Gruevskit dhe Perëndimit, ajo nuk do shumë mend
Nga Ruben Avxhiu
Bashkëjetesa mes shqiptarëve dhe maqedonasve nuk ka qenë ndonjëherë e lumtur dhe nuk ka buruar nga dashuria.
Shqiptarët në Maqedoni nuk janë aq të fortë, aq kompaktë dhe aq me mbështetje ndërkombëtare sa të shkëputen nga ky shtet i ri. Nga ana tjetër, maqedonasit, nuk janë aq të shumtë, aq të fuqishëm dhe me aq mbështetje ndërkombëtare sa t’i shtypin shqiptarët duke ua mohuar të drejtat.
Të dy palët janë të detyruar pra të jetojnë së bashku në të njëjtën hapësirë dhe sa kohë që jetojnë aty, mbase mund të gjejnë mënyra që begatia e njërit të mos nënkuptojë detyrimisht rrënimin e tjetrit.
Kjo nuk është e lehtë se mosbesimi mes të dy komuniteteve është shumë i madh, po jo edhe aq e pamundur sepse begatia ashtu si është rrënimi është ngjitës.
Në këtë drejtim shqiptarët kanë punuar shumë që Maqedonia të pranohet në BE dhe NATO sepse duan të bashkohen aty me bashkatdhetarët e tyre përtej kufirit në Ballkan. Maqedonasit kanë pasur një ambicje të ngjashme dhe kanë pranuar për hir të paqes së vitit 2001 dhe ambicjes së integrimit perëndimor që shqiptarët të fitojnë të drejtat që u takojnë. Gruveski, një kryeministër i ri dhe ambicioz, e çoi përpara ekonominë me shumë shpejtësi, realizoi disa reforma në kohë rekord dhe vendosi një bashkëpunim me BDI-në që funksionoi shumë më mirë se sa pritej. Shqiptarët filluan të bëhen më të pranishëm në administratë dhe përfaqësim të vendit. Kritikat ishin më shumë për shpejtësinë e përparimit, jo për drejtimin në të cilin po shkonte vendi.
Pstaj ndodhi vetoja greke. Shqipëria dhe Kroacia hynë në NATO; Maqedonia ndonëse kishte mbushur kushtet, mbeti jashtë.
Pa dashur t’ia zvogëloj mëkatet Gruevskit dhe partisë së tij, kokëfortësia e Greqisë krisi një përkeqësim që do të bëhej gjithnjë e më i madh me kalimin e kohës duke dëmtuar jo vetëm shqiptarët dhe maqedonasit po edhe vetë grekët.
Greqia, pa e menduar mirë, ndihmoi që Maqedonia të bëhej pikërisht ajo që grekët druheshin, një vend që pretendonte prejardhjen nga Aleksandri i Maqedonisë, që përpiqet të përvetësojë një kulturë antikiteti që Greqia e quan të vetën, duke e bërë më të mundshme atë që Athina druhej në të vërtetë, që një ditë fqinji i veriut do të lakmonte krahinën me emrin Maqedoni, që shtrihet deri poshtë në Selanik.
Gruevski dhe shumë maqedonas humbën besimin te një marrëveshje me Greqinë për emrin e republikës dhe u hakmorrën së pari me projektin e tyre të rishkrimit të historisë së vendit dhe pastaj humbën entuziamin për demokratizimin e vendit. Korrupsioni u lejua hapur kurse marrëdhënia me shqiptarët u ndërrua në marrëdhënie me Ali Ahmetin.
BDI e deri diku PDSH mbetën partnerë të VMRO-së, pavarësisht prej korrupsionit, sipas të gjitha gjasave për një çmim, të projektit historik, në shkëmbim të disa monumenteve shqiptare, dhe të vonimit të reformave, sa kohë që nuk prekte punësimin dhe biznesin e anëtarëve të partisë dhe miqve të tyre.
Po kjo ishte një rrokullisje pa kthim, fundi i të cilës nuk dihet ku do të shkojë. Gruevski nuk kishte faj për bllokimin në derën e NATO-s dhe BE-së, po është përgjegjës për largimin nga rruga e reformës dhe trajtimin e shtetit si pronë të tij dhe klikës besnike të partisë. Për të justifikuar shkeljet asgjë nuk u kursye. As sistemi i drejtësisë, ku shqiptarët shpesh u bënë viktima të pamerituara. Të paktën tre raste të bujshme gjyqësore mbeten shumë konfuze për mënyrën si janë zhvilluar dhe arsyet reale të njerëzve mbrapa tyre. Më e fundit, është procesi i ngjarjeve të Kumanovës.
Një rritje e identifikimit fetar mes shqiptarëve të rinj, ishte ndoshta i natyrshëm dhe pjesë e një dukurie mbarë rajonale në mos botërore, por që Gruevski dhe njerzit e tij e përdorën gati haptas për të krijuar një konflikt fetar në Maqedoni. Opozita maqedonase që dukej se nuk do të ngjallej edhe për një dekadë tjetër, me të drejtë dalloi te qeveria synimin për të përdorur fenë e shqiptarëve si justifikim për një diktaturë të ardhshme.
Shpërthimi i skandaleve të korrupsionit pas zbulimit të një seri përgjimesh, përshpejtuan rrokullisjen e Maqedonisë drejt një kaosi politik. Gruevski dhe udhëheqja e VMRO-së kishin manipuluar masivisht. Çfarë ndodhi me këtë ekip politikanësh të rinj dhe me ambicie është tragjedi më vete për vendin ballkanik, por më së paku prej kësaj e meritonin që të ndëshkoheshin shqiptarët, këta bashkudhëtarë nga halli në historinë maqedonase. Krimi ishte në shesh, por kriminelët kishin gjithë pushtetin. Gruevski ndoshta mund të kishte shpëtuar veten duke goditur të gjithë bashkëpunëtorët e demaskuar në përgjime, duke minimizuar pjesëmarrjen e tij. Po ishte një lojë e koklavitur. Do ta merrnin me vete poshtë. Ahmeti gjithashtu mund të ishte distancuar, po nuk e bëri. Pask kësaj vijuan përgjimet që implikonin edhe atë si edhe habitshmërisht Menduh Thaçin në opozitë. Kjo e fundit, ishte akoma më shqetësuese. Në dy vitet e fundit, të dy partitë janë munduar të justifikojnë marrëdhënien e tyre denigruese me Gruevskin, po mëria e elektoratit u duk qartë në këtë zgjedhje të 11 dhjetorit.
Tani jemi përsëri në udhëkryq. Çfarë duhet të bëjën shqiptarët. Vetëm ata mund ta mbajnë Gruevskin në pushtet. Mjafton mbase vetëm BDI. Po do të jetë një shumicë e hollë, që mund të prishet me një ose dy deputetë rebelë.
Nga ana tjetër, LSDM mund ta ngrejnë në pushhtet, BDI me Aleancën, ose të gjithë partitë shqiptare së bashku. Po nëse nuk ndryshojnë raportet, BDI mbetet një komponent i pashmangshëm.
Shqiptarët kanë kujtime disa të këqia me LSDM-në dhe ata që kanë votuar për këtë parti po trajtohen shumë keq në media, po kjo parti të paktën me fjalë po flet për një Maqedoni ku qytetarët nuk do të ndahen sipas kombësisë. Ndoshta është naivitet ose lojë politike, po nëse shqiptarët nuk shkëputen dot nga Maqedonia, a nuk është më mirë të jetë në pushtet një parti që kërkon një republikë më gjithëpërfshirëse.
Nuk e di se çfarë duhet të bëjnë Gruevski dhe Zaev që ta bindin Ahmetin dhe shqiptarët e tjerë që të jenë në anën e tyre, mirëpo një gjë dihet, me sjelljen e tyre, media dhe mbështetësit e VMRO-së po bëjnë çmos që të shtyjnë shqiptarët drejt opozitës.
Shqiptarët mund ta tolerojnë nacionalizmin maqedonas edhe kur nganjëherë sulet kundër tyre. Edhe kur nganjëherë ua mbush mendjen maqedonasve se nuk janë sllavë por popull me prejardhje antike sa grekët e ilirët. Po kur nacionalizmi delirant bashkohet me korrupsionin që vjedh të ardhmen e fëmijëve, kur ky nacionalizëm shkel me këmbë demokracinë, kur ky nacionalizëm bën plane që t’i paraqesë shqiptarët si ISIS e në fund, kur ky nacionalizëm flirton me Putinin e Rusisë, ndërsa sulmon ashpërsisht SHBA-në dhe Bashkimin Europian, atëhere bëhen pak si shumë peshë në ndërgjegje edhe për njerëzit më të duruar e më të qetë.
Ahmeti e ndoshta edhe ndonjë parti tjetër mund të bashkohej me Gruevskin për hir të lidhjeve të vjetra, pikëpamjeve, apo thjesjt mosbesimit te Zaevi. Mund të lidheshin edhe për shkak të inatit të partive të reja. BDI ndoshta e sheh LSDM-në më afër Besës dhe do që ta ndëshkojë. Mirëpo, të gjitha këto do të shumëzohen me zero nëse media pro-Gruevski, mbështetësit në rrugë dhe vetë krerët e koalicionit të VMRO-së vazhdojnë të fajësojnë shqiptarët për zhgënjimin që u kanë bërë maqedonasve. Vazhdojnë të fryjnë numrin e shqiptarëve që votuan për LSDM që të mos pranojnë gati 200,000 maqedonas që dolën kundër tyre. Vazhdojnë të paraqesin dëshirën për ndryshim si një gogol të frikshëm shqiptar. Kërkojnë të trembin përsëri maqedonasit me karikaturën e shqiptarit.
Këta harrojnë se paqja në Maqedoni u vendos me garancinë e SHBA-së, NATO-s, dhe BE-së. Nëse Gruevski ka vendosur të dalë kundër tyre, atëhere le ta bëjnë me forcat e veta. Nuk është Perëndimi që i ka kthyer shqiptarët kundër VMRO-së siç thonë lakejntë e ish-kryeministrit duke i trajtuar shqiptarët si hajvanë që marrin urdhra nga jashtë se për kët të votojnë. Ose sjellja e qeverisë së tij, e ministrave si Jankulovska, e Presidentit Ivanov, e medias së tij, e fushatës antishqiptare dhe antiperëndimore, që ka bërë që shqiptarët jo vetëm të ftohen nga ai dhe partia e tij, po të ndëshkojnë edhe aleatët e tij në botën shqiptare.
Rruga drejt NATO-s dhe BE-së është e ndërlikuar dhe jo shumë e qartë, po linja ruse apo ajo e izolimit nacionalist, dihet se ku të çojnë. Shqiptarët janë bashkudhëtarë të Maqedonisë që shkon në Perëndim. Jo asaj që shkon drejt një aventure të frikshme. Ky vend i përket të gjitha komuniteteve që jetojnë aty. Jo vetëm besnikëve të një partied he aq më pak, jo një njeriu të vetëm. Në këto ditë vendimtare për të ardhmen e shkurtër, pas-zgjedhore, partia me më shumë deputetë po merr rrugën e gabuar. Sepse, nëse zgjedhja është mes Gruevskit dhe Perëndimit, ajo nuk do shumë mend. Illyriapress.com/