Nesër ulja me Vuçiç-in në Bruksel, Kurti zhvillon takim ”përgatitor” me Escobarin dhe Lajçakun

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar këtë mbrëmje me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak dhe të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Kurti e ka quajtur këtë takim përgatitor para takimit të 18 gushtit mes tij dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç në Bruksel, në kuadër të dialogut që ndërmjetëson BE-ja. Atyre u është bërë ftesa për dialog pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës më 31 korrik.

Serbët e Kosovës kanë ngritur barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj hapit të Qeverisë së Kosovës për të zbatuar dy vendime për targat e makinave dhe dokumentet serbe. Barrikadat janë hequr pasi Qeveria ka shtyrë zbatimin e vendimit për 1 shtator. “Edhe Serbia mund të heqë dorë prej lëshimit të dokumenteve”. Kurti ka thënë para mediave se në takim me Lajçakun dhe Escobarin është diskutuar për “elemente të kornizës për marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, që duhet të ketë në qendër njohjen reciproke, si dhe për çështjet aktuale”.

“Pritet të trajtohen të gjitha marrëdhëniet bilaterale, me të gjitha vështirësitë dhe pengesat”. Ai ka insistuar që Kosova është për reciprocitet me Serbinë. I pyetur nëse ka mundësi që Kosova të shtyjë sërish zbatimin e vendimeve për targat dhe dokumentet serbe, Kurti ka thënë se “ne po diskutojmë për zgjidhje, jo për shtyrje”.

“Nuk është se e kemi bërë shtyrjen që të bëjmë edhe shtyrje tjera. Shtyrja është bërë më 31 korrik për datën 1 shtator, dhe me atë rast kemi dëshmuar – me datën 1 gusht – se nuk konfiskojmë dokumente, siç ka qenë fushata e dezinformimit. Në anën tjetër, është e mundshme që më 1 shtator nuk do të lëshojmë dokumente, sepse edhe Serbia do të heqë dorë prej lëshimit të dokumenteve në vendkalimet kufitare me Kosovën. Ne dëshirojmë marrëdhënie reciproke”.

SHKARKO APP