Nikoliq: Kisha të drejtë kur thashë se jemi afër vijave të kuqe në bisedimet me Prishtinën
Presidenti serb Tomislav Nikoliq tha se qeveria do të ketë mbështetjen e tij të pakusht nëse “kërkesat” e fundit të Prishtinës do të konsiderohen si të pakuptimta dhe shtoi se kishte të drejtë kur kishte vlerësuar se jemi shumë afër vijave të kuqe në bisedime të cilat sipas tij nuk duhet kaluar nëse e vlerësojnë vendin dhe Kushtetutën.
Nikoliq ka thënë poashtu për gazetën serbe “Novosti” se siç i quajti ai “në institucionet e përkohshme të Prishtinës” kanë bërë vlerësime të gabuara lidhur me atë “se ka ardhur koha për të vendosur kushtet pa të cilat nuk mund të vazhdohen në negociata”.
“Edhe vetë Bashkimi Evropian përmbahet nga vendosja e kushteve, pranimi i të cilave do të thoshte pranimin e pavarësisë së krahinës jugore serbe”, ka thënë Nikoliq, përcjellë Klan Kosova.
“Shqiptarët i përdorin negociatat që Serbia përmes tyre t`iu jep sa më shumë të drejta dhe në qoftë se nuk shkon asisoj, atëherë përmes negociatave bilaterale, të kërkohet pranimi dhe anëtarësimi në organizatat që duhet të jenë organizata të shteteve. Kjo nuk është një bazë për negociata të sinqerta, të cilat nga ana e tyre nuk kanë qenë deri më tani” tha Nikoliq.