Nikos Kotzias paraqet emrin e ri të Maqedonisë

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias në një mbledhje joformale të Qeverisë në Athinë i ka prezantuar pikat kryesore të propozim-marrëveshjes që do t’i dorëzohet Shkupit për zgjidhjen e kontestit rreth emrit të Maqedonisë.

Lajmi është publikuar nga mediat greke, por pa dhënë detaje mbi propozimet edhe pse supozohet se ato përmbajnë vijat e kuqe të palës greke, e cila insiston në një zgjidhje, apo emër të ri që do të përdorej si në komunikimet e brendshme, ashtu edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare të Maqedonisë.

Në hartimin e platformës greke thuhet të kenë marr pjesë 60 ekspertë të fushave të ndryshme.

Siç transmetojnë mediat në Shkup, Kotzias ka propozuar edhe pika të reja që i janë shtuar marrëveshjes e cilat pritet t’u dorëzohet autoriteteve maqedonase gjatë vizitës së tij javën e ardhshme në Shkup.

Por, pala maqedonase zgjidhjen e kontestit 27 vjeçar me Greqinë nuk e sheh në ndryshimin e Kushtetutës, siç po pretendon Greqia, pasi që një gjë e tillë mund të ketë pasoja në rast të ndonjë ndryshimi të mëvonshme të sistemin juridik në Maqedoni. Kryeministri, Zoran Zaev thotë se zgjidhja duhet të përfshijë vetëm ndryshimin e emrit përmes një marrëveshjeje ndërkombëtare, ratifikimin e saj në Parlamentet e dyja vendeve, votimin e saj në Kombet e Bashkuara si dhe miratimin e një rezolute po nga OKB-ja, si garanci për zbatimin e saj.

Derisa Qeveria shprehet e gatshme për kompromis, opozita maqedonase nga ana tjetër vazhdon ta kundërshtoj çdo zgjidhje, që sipas saj, do të nënkuptonte ndryshimin e kushtetutës me qëllim ndryshimin e emrit të shtetit.

Po ashtu, reagime ka edhe nga opozita në Greqi, por ndryshe nga ajo maqedonase, ajo kërkon që të mos pranohet asnjë zgjidhje që do të përmbante emrin Maqedoni.

Për shkak të kontestit të pazgjidhur të emrit, Greqia ka vendosur veto anëtarësimit të Maqedonisë në NATO ndërsa kundërshton edhe procesin e anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian./ REL

SHKARKO APP