Nipi i Titos, kandidat në zgjedhjet serbe
Josip Joska Broz, nipi i ish-presidentit jugosllav Josip Broz Tito, i është bashkuar Partisë Socialiste për zgjedhjet parlamentare në prill, duke premtuar të risjellë politikat e krahut të majtë.
Nga Ivana Nikoliç, BIRN Beograd
Broz, nipi 69-vjeçar i liderit komunist Tito, tha për BIRN se ai pret të bëhet deputet pas votimeve në muajin prill tani që është futur në listën zgjedhore të Partisë Socialiste të Serbisë, SPS.
“Duhet të hyj në parlament. SPS-ja më premtoi se do të më vendosë më lart në listë. Jam gjithashtu i kënaqur që SPS-ja po kthehet në pozicionin e saj fillestar të majtë, pasi lindi nga Partia Komuniste e Titos,” tha ai.
Brozi, i cili ka drejtuar Partinë Komuniste të Serbisë që kur ajo u rikrijua në vitin 2010, tha se me të në parlament, zëri i komunizmit të vërtetë do të dëgjohet përsëri.
“Nëse hyj në parlament, do të luftoj për shëndetësi falas, arsimin falas, për rininë tonë dhe për mundësi më të mira për punësim,” tha ai.
Ai tha gjithashtu se do të sjellë më shumë mbështetje për SPS-në, e cila ishte partnere e vogël në koalicionin qeverisës që po largohet.
“Mendoj se do të jap kontributin tim në SPS me votat, duke qenë se partia ime ka shumë përkrahës të cilët do të votojnë për SPS-në,” tha ai.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të njoftuara në fillim të këtij viti nga kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiç, janë caktuar për më 24 prill.
Ivica Daçiç, Ministri aktual i Jashtëm i Serbisë dhe lideri i SPS-së, të dielën njoftoi se Broz do të jetë në listën e tyre zgjedhore. Kjo u konfirmua të nesërmen, kur listat zgjedhore iu dorëzuan komisionit zgjedhor.
Daçiç tha se Broz ishte vënë në listën zgjedhore të SPS-së në kujtim të sundimit të ish-presidentit jugosllav Tito. BIRN kontaktoi me partinë për një koment shtesë, por nuk mori ndonjë përgjigje që nga koha e publikimit.
Përveç futjes së Brozit në listën e saj, SPS ka nënshkruar një marrëveshje koalicioni me Partinë e Serbisë së Bashkuar, të udhëhequr nga biznesmeni Dragan Markoviç “Palma”, dhe Partinë e Gjelbër të Serbisë.
“Në zgjedhjet e mëparshme në vitin 2014, ne fituam rreth 13.5 për qind të votave, që do të thotë rreth 470,000 vota. Presim një rezultat më të mirë. Jemi të sigurt që do të fitojmë më shumë se 500,000 vota në këto zgjedhje,” tha Daçiç për mediat të dielën.
Sondazhet e fundit nga agjencia “Factor Plus” tregojnë se Partia Progresive Serbe e Vuçiçit është drejt një fitoreje dërrmuese në këto zgjedhje. Sondazhet sugjeruan se partia gëzon mbështetjen e pothuajse gjysmës së elektoratit, 49%.
Sipas të njëjtave sondazhe, 11.3% e votuesve mbështesin SPS-në e Daçiç.