Nisin hetimet për blerjen e limuzinës luksoze të ish-kryeministrit
Prokuroria Speciale e Maqedonisë dyshon se dy ish-zyrtarë abuzuan me detyrën për të blerë një limuzinë luksoze me vlerë 575,000 euro për ish-kryeministrin Nikola Gruevski.
Nga Sinisa Jakov Marusic, BIRN
Prokuroria Speciale, të martën tha se kishte nisur një hetim të koduar “Tank” mbi dyshimin se dy ish-zyrtarë të qeverisë, emrat e të cilëve nuk u bënë publikë, u përfshinë në një marrëveshje të paligjshme për të blerë një limuzinë luksoze Mercedez për Gruevskin, kryeministrin e asaj kohe në 2012.
“Ka dyshime të arsyeshme se e dyshuara e parë, për të përmbushur dëshirën e kryeministrit për të blerë një makinë specifike, inkurajoi të dyshuarin e dytë të shpërdorojë detyrën gjatë një prokurimi publik dhe për të favorizuar në mënyrë të paligjshme një kompani të caktuar për ta blerë atë lloj makine, tha SJO në një deklaratë për shtyp.
SJO hapi një hetim bazuar te bisedat mes dy zyrtarëve të lartë të qeverisë që doli në dritë gjatë skandalit të përgjimeve masive që opozita zbuloi në fillim të vitit 2015.
Në maj, opozita bëri publike disa biseda të përgjuara mes kryeministrit të atëhershëm Gruevskit, kushëririt të tij tani shef i dorëhequr i policisë, Saso Mijalkov dhe ministres së brendshme të atëhershme Gordana Jankuloska, që opozita tha se tregonin kryeministrin që bleu fshehurazi një Mercedez me vlerë rreth 600,000 euro.
“Deri në zgjedhjet vendore, do të themi që është për ministrinë e brendshme… dhe unë do ta përdor vetëm për destinacione ku nuk do të kem takime me gazetarë,” dëgjohet Gruevski të thotë për Jankuloskan.
Ai që dyshohet si zëri i Gruevskit në regjistrime përdori vetëm gërmën ‘M’ kur fliste për Mercedezin.
Një tjetër bisedë mes Jankuloskas dhe Mijalkov zbuloi çmimin e saktë të makinës së pajisur plotësisht – 575,000 euro
“Është një fantazi, nuk kam parë kurrë një gjë të ngjashme,” thotë Jankuloska për Mijalkov, duke shtuar se e kishin fshehur nga publiku në garazhin e kryeministrit.
Që nga formimi në vjeshtë 2015, Prokuroria Speciale në Maqedoni u ngarkua me akuzat për krim të nivelit të lartë që dolën nga përgjimet e paligjshme dhe ka hapur disa hetime ndërsa dy çështje kanë nisur nga gjykimi.
Social Demokratët në opozitë në Maqedoni, pretendojnë se Gruevski, kreu i partisë qeverisëse VMRO DPMNE, ideoi skemën e përgjimeve me kushëririn e tij Mijalkov.
Por Gruevski, që tani po përpiqet të sajojë një shumicë për të formuar qeverinë e re pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit, ka këmbëngulur se përgjimet ishin orkestruar për të destabilizuar vendin nga shërbime të huaja.
Prokuroria që ka hetuar përgjegjësinë e përgjimeve, tha në shkurtin e vitit të shkuar se dyshonte se e kishin bërë dhjetë persona nga policia sekrete.
Institucioni tha se ka mbledhur prova që sugjeronin se të paktën 5827 numra telefoni të ministrave, opozitarëve, gazetarëve, biznesmenëve dhe figurave publike u përgjuan ilegalisht nga policia sekrete prej 2008 deri në 2015.