Një “dorë” edhe nga BERZH – Banka do të rrisë financimin ndaj rajonit me 30%
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim duke se ka ndërmend të japë një dorë në integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Për këtë arsye, institucioni huadhënës po mendon që të rrisë me 30% nivelin e financimit të rajonit.
Në këtë mënyrë, këto vende do të kenë një ndihmë më shumë për të ndërmarrë reformat që do të tërheqin më shumë investime, gjatë përpjekjes së tyre për t`iu bashkuar unionit. Këtë e deklaroi vetë numri një i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Suma Chakrabarti, për Reuters nga Sofja.
Gjatë samitit të Sofjes, veç liderëve do të jenë të pranishme edhe një sërë institucionesh, si Berzh, Banka Europiane e Investimeve, etj.
“Ballkani Perëndimor është rajoni që merr investimet më të mëdha për frymë nga BERZH. Ne synojmë që të bëjmë edhe më shumë. Nëse ka reforma, atëherë banka do të jetë në gjendje të investojë më shumë”, nënvizoi ai.
BERZH po mendon kështu që të rrisë huadhënien, në 12.5 miliardë euro në vit, nga 9.5 miliardë që është aktualisht. Këto do të jenë në total, pra për të gjitha vendet që mbulon BERZH.
Në fund të vitit, do të vlerësohet se sa nga këto 3 miliardë euro shtesë do të shkojnë për Ballkanin Perëndimor.
Sipas BERZH, 6 vendeve të rajonit mund t`i duhen edhe 200 vite për të arritur standardin e jetesës së Bashkimit Europian, në rast se nuk ndërhyjnë për të nxitur reformat dhe përmirësuar nivelin e prodhimit të ekonomisë.