”Një lajm i rremë mizor u bë raport”/ Rama në KiE: Akuzat ndaj UÇK-së për trafik organesh, fantazi e fabrikuar në Kremlin

Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Europës, kryeministri Edi Rama teksa foli për temën kryesore, i quajti “fantazi të mirëfabrikuara” në Kremlin akuzat e ngritura në drejtim të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për trafik organesh. Po ashtu Rama tha se një lajm i rremë dhe akuzat e ngritura fillimisht nga prokurorja Carla del Ponte sollën më pas raportin e Dick Marty ku një Rezolutë e miratuar në këtë Këshill, shkaktuan një padrejtësi të madhe ndaj liderëve të UÇK-së.

”Një fantazi e pastër e mirë fabrikuar në Kremlin dhe në mënyrë shumë inteligjente e kontrabanduar në kanalet e politikës ndërkombëtare dhe e sjellë këtu në tempullin e të drejtave të njeriut. Një lajm i rremë mizor arriti të shndërrohej në një raport, që u shndërrua në një rezolutë, që minoi të vërtetën dhe drejtësinë. Veprimet tuaja një dekadë më parë kanë shkaktuar një prej dështimeve më monumentale të politikës ndërkombëtare, një shtrembërim i shëmtuar i të drejtave të njeriut”- theksoi Rama.

Ndër të tjera, Edi Rama përmendi edhe historinë e ”Shtëpisë së verdhë”, ku në raport pretendohej se kryehej trafikimi i organeve. Kryeministri tha se këto janë të pabaza, duke pohuar se ajo ishte shtëpia e një familjeje të varfër shqiptare, që nuk kishte drita, ujë e as rrugë.

Kryeministri Rama foli edhe kundër Presidentit rus, Vladimir Putin. Kreu i qeverisë e quan një tiran që luan me vdekjen. Po ashtu kreu i qeverisë theksoi edhe një herë se paralelet mes Kosovës e Krimesë që Putin bën vazhdimisht, nuk kanë asnjë bazë.

“Nuk ka asnjë paralele mes Kosovës e Krimesë, por ka mes Kosovës e Ukrainës. Ka një analogji më të fortë, mes Carit që ulet në fronin e Kremlinit të ditëve tona, dhe kasapit që mbante pozicionin e komandantit të përgjithshëm të Serbisë gjatë luftës. Ka dy tiranë të dëshpëruar, një i vdekur e tjetri që luan me vdekjen”.

Kreu i qeverisë shqiptare iu drejtua të pranishmëve, duke thënë se është momenti që Kosova të shkruhet “Kosova”, ashtu siç e ka emrin, dhe jo si “Kosovo”.

“Ka kombe në historinë e botës që jetojnë të gjithë jetën duke mbrojtur lirinë e tyre, të rrethuar nga dhuna e gënjeshtrat apo hipokriza ndërkombëtare që bën sehir, ata shpresojnë të rezistojnë për aq kohë sa munden, ky është rasti i Ukrainës. Sa i zellshëm është Putin për të hequr paralele mes Krimesë dhe Kosovës, provat nuk e mbështesin, nuk ka asnjë paralele mes Kosovës dhe Krimesë, por mes Ukrainës dhe Kosovës, të nisni t’u mësoni edhe organizmave të tjera ndërkombëtarë që ta shkruajnë Kosova jo Kosovo, është Republika e Kosovës”- deklaroi Rama.

SHKARKO APP