Një president që nuk e njeh vendin e vet
Bosnje-Hercegovina nuk po shkon në luftë, por megjithatë ndodhet në mes të një krize. Instancat ndërkombëtare nuk i hedhin sytë nga Bosnja. Ndryshimi duhet të vijë nga vetë vendi mendon Christian Schwarz-Schilling.
Të premten e kaluar (28.6) gazeta gjermane Tageszeitung, “taz”, botoi një artikull të autorit Erith Rathfelder me titull “Bosnja përtokë- Rrymat nacionaliste në Bosnjë dhe Hercegovinë vazhdojnë të marrin gjithnjë e më shumë ndikim. Dhe institucionet ndërkombëtare nuk bëjnë asgjë për ta ndaluar.”
Disa mbase pyesin: Vërtet kaq keq është? Nuk është tepruar ca? Përgjigja ime është: Po, kaq keq është puna! Dhe nëse perëndimi vazhdon të qëndrojë në rol vëzhguesi, ky vend do të shkatërrohet duke pasur pasoja të dëmshme për të gjithë Ballkanin Perëndimor, edhe në Europë!
Avokat vetëm i interesave serbe
Që nga fillimi i këtij viti, në krye të shtetit në Bosnje-Hercegovinë ndodhet Milorad Dodik. Ai është përfaqësues i serbëve boshnjak nga Republika Srpska, njëra nga dy entitetet e Bosnje-Hercegovinës dhe sipas rrotacionit president i presidencës trevetëshe të vendit. Dodiku është një nacionalist ekstremist serb dhe lufton vetëm për ato që mendohet të jenë interesa serbe, duke mos marrë parasysh interesat e gjithë shtetit, e pa u kujdesur që të mos shkaktojë dëme tek të tjerët.
Ai thotë hapur se nuk e ndien veten si president i Bosnje-Hercegovinës, e cila për të nuk ekziston fare, por e sheh veten si përfaqësues popullor të interesave serbe. Ai pengon krijimin e një qeverie, duke e quajtur të vjetëruar një vendim të mëparshëm të qeverisë të marrë nga ish-pararendësi Nebojsa Radmanovic, po ashtu nga Republika Srpska. Vendimi ka të bëjë me “Annual National Programme”, që bën pjesë tek partneriteti me NATO-n. Kështu Dodik udhëzon partinë e tij nacionaliste të Republika Srpskas (SNSD), që të marrë një vendim tjetër, që të jetë në kundërshtim me atë të mëparshmin dhe të përdoret si parakusht për krijimin e një qeverie nga ana e Republika Srpskas.
Stanjacion absolut i politikës
Dhe meqenëse palëve të entitetit të dytë, Federatës, e cila ka shumicën e popullsisë nuk u pëlqen një qëndrim i tillë jodemokratik dhe antiparlamentar, nuk arrihet të shkohet deri tek krijimi i qeverisë dhe për këtë shkak politika ka mbetur në stanjacion absolut. Që prej fillimit të korrikut nuk merren më vendime për çështjet e buxhetit, prandaj kurrkush nuk edi se nga do të paguhen rrogat e zyrtarëve dhe punonjësve shtetërorë pas 1 korrikut.
24 qershori 2019 ka qenë dita e fundit për zgjedhjen nga parlamenti boshnjak të delegatëve për Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës (PACE). As kjo zgjedhje nuk u bë. Arsyeja nuk ka të bëjë me pakujdesinë e parlamentit, por me partinë SNSD, kryetar i së cilës është Dodiku. Partia nuk u shfaq në takim dhe e bëri të pamundur zgjedhjen e delegatëve për Këshillin e Europës.
Bosnjë Hercegovina është vendi i vetëm i Europës, që nuk përfaqësohet në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës. Dhe kjo po ndodh me një vend, i cili ka shumë detyra për të bërë dhe detyrime për të larë në rrugën drejt Europës. Këto që treguam janë një përzgjedhje e vogël e ngjarjeve nga katër javët e kaluara.
Për tu përmendur është edhe një letër interesante që Presidenti Dodik i dërgoi ambasadores së Gjermanisë në Bosnje-Hercegovinë, Christiane Hohman, e cila largohet nga detyra. Dodik i shkruante asaj, se nuk mendon se ia vlen që ta vizitojë me rastin e largimit nga detyra.
Një dokument i çuditshëm i historisë së diplomacisë
“Si ambasadore e Republikës Federale Gjermane në Bosnje-Hercegovinë në tre vitet e fundit ju keni punuar në disfavor të popullit serb dhe Republikës Srspka, dhe në këtë mënyrë kundër vetë Bosnje-Hercegovinës si edhe rendit të saj kushtetues. […] Shfaqjet tuaja në publik dhe aktivitetet diplomatike gjatë qëndrimit në Sarajevë kanë qenë me ngjyrime politike, subjektive dhe të papërshtatshme nga pikëpamja diplomatike, gjë për të cilat unë do të informoj përfaqësuesit më të lartë të Republikës Federale Gjermane.”
Ky është një dokument shumë i çuditshëm në historinë e diplomacisë. Do të ishte mirë që Dodik të fliste më parë me njeriun e tij besnik, presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, para se t’i dërgonte letrën e ndarjes ambasadores në Sarajevë
Dodik pretendon prej kohësh se gjenocidi i tmerrshëm në Srebrenicë, i konfirmuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë, nuk ka ndodhur. Tani, në cilësinë e presidentit të Bosnje-Hercegovinës, ai flet me të njëjtën mënyrë për gjenocidin e pandodhur të Srebrenicës duke provokuar banorët e vendit dhe komunitetin ndërkombëtar. Në Gjermani dhe disa vende të tjera të botës dënohet me ligj mohimi i krimeve traumatike të historisë. Kur do të ketë kjo gjë pasoja juridike edhe në Bosnjë Hercegovinë, në mënyrë që të shkarkohet një president i tillë?/ Christian Schwarz-Schilling – DW