Oferta e Malit të Zi për të mikpritur dialogun Kosovë-Serbi, Abazoviç: Qëllimi ynë, arritja e një marrëveshje

Në konferencën për shtyp me Edi Ramën, kreu i qeverisë së Malit të Zi, shqiptari Dritan Abazoviç u pyet edhe për ofertën e vendit të tij drejtuar liderëve të Kosovës e Serbisë për të mikpritur dialogun mes dy vendeve. Abazoviç tha se oferta e Malit të Zi është shumë miqësore e ka si qëllim “me ardhur te marrëveshja dhe te një situatë ku ka me qenë stabiliteti i plotë dhe ku nuk ka me pas kurrëfarë rreziku për të shkuar në një eskalim të konfliktit për të cilin ndoshta në këtë moment me të vërtetë ishte i panevojshëm”.

Ju jeni ofruar si vend mikpritës për zgjidhjen e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës. Keni marrë një përgjigje nga dy liderët dhe a keni arritur të komunikoni ju me zotin Kurti, meqë me kryeministrin e Shqipërisë nuk arrin dot as të takohet?

Unë e kam takuar kryeministrin Kurti në Maqedoni, para disa ditëve, kur ishte Forumi i Prespës, kjo ka qenë hera e fundit që jemi takuar. Ne këtë ofertë e kemi bërë shumë miqësore, nuk duam në asnjë mënyrë me ndikuar në ndonjë palë, as nuk kemi mundësi, e vetmja gjë që ishte si ofertë, ishte se Mali i Zi si një shtet i cili ka relacionet me shtete në shumë nivel të lartë. Nëse mendojnë se duan me u takuar në këtë vend, janë mëse të mirëseardhur. Pasi që ka ekzistuar një takim në Ohër ashtu si nesër mundet me ekzistuar një takim të Podgoricë, në Budva etj.

Ky është roli jonë, mendoj si shumë konstruktiv. Nuk kemi marrë përgjigje. Në asnjë moment nuk kam parë kurrfarë negativiteti lidhur me atë ofertë. Ata gjithashtu takohen në Bruksel, nëse vendosin me u takuar në rajon, ne rrimë në dispozicion. Qëllimi jonë ishte me ardhur te marrëveshja. Vendet e takimit janë me pak rëndësi. Qëllimi jonë ishte me ardhur te marrëveshja dhe te një situata ku ka me qenë stabiliteti i plotë dhe ku nuk ka me pas kurrfarë rreziku për të shkuar në një eskalim të konfliktit për të cilin ndoshta në këtë moment me të vërtetë ishte i panevojshëm. Ky është qëndrimi jonë.

Nëse mundemi me qenë në dispozicion jemi këtu, nëse ka dikush ndryshe ne e respektojmë. Jemi këtu vetëm si miq dhe jemi të interesuar në atë drejtim. Jemi shtet që nuk kemi konflikt me shtetet në rrethim, kjo është vlera më e madhe që ka Mali i Zi për momentin dhe ne nuk duam me e tret këtë pozicion, pasi kemi harxhuar shumë energji si të vijmë në këtë shkallë.

SHKARKO APP