Opozita maqedonase nis protestat

Partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE mbrëmjen e sotme organizoi “tubim popullor” para godinës së Qeverisë së Maqedonisë në të cilin shprehu pakënaqësi ndaj politikave të qeverisë aktuale të udhëhequr nga kryeministri Zoran Zaev, ku dhe kreu i opozitës Hristijan Mickoski kërkoi zgjedhje të parakohshme parlamentare së bashku me ato presidenciale, raporton AA.

Tubimi popullor, i organizuar një vit pas formimit të qeverisë aktuale, u mbështet nga mijëra qytetarë të ardhur nga qytete të ndryshme të vendit, të cilët me flamuj kombëtar dhe parulla të ndryshme shprehën pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë aktuale, përfshirë edhe qëndrimin e tyre kundër ndryshimit të kushtetutës së vendit për të arritur marrëveshje rreth emrit, që Maqedonia e ka me fqinjin jugor, Greqinë.

Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në adresimin e tij para mijëra qytetarëve, tha se Maqedonia kaloi një vit me zhgënjime, pritje të tradhtuara, pengesa ekonomike dhe me premtime të rreme.

“A jetoni më mirë, a mendoni se siç ka nisur do të jetoni më mirë… Nuk do të ndodh të dashur vëllezër dhe motra. Të parandalohen derisa nuk është vonë, t’i parandalojmë ne derisa nuk është tepër vonë.

Duhet të ketë zgjedhje, zgjedhje të parakohshme parlamentare së bashku me ato presidenciale”, porositi Mickoski, duke kërkuar një qeveri teknike 100 ditë para zgjedhjeve.

SHKARKO APP