Pandarovski: S’i kam borxh askujt për zgjedhjen time si President

Nuk i kam borxh askujt për zgjedhjen time për President. Kështu kreu i ri i shtetit, Stevo Pendarovski në emisionin “360 gradë”, iu përgjigjet kritikave në opinion por edhe opozitës se fitorja e tij do të paguhet me kredi të larta politike.

“Unë i shoh ata, secili nga partnerët e koalicionit dëshiron të thotë se investimi i tyre ka qenë i madh, dhe përmendin shifra që janë absolutisht joreale. Nuk dua të them se numrat e mi, i kam merituar vetëm unë. Ato 433,000 vota janë sigurisht edhe votat e partnerëve të koalicionit, 31 partnerë të koalicionit apo parti politike, natyrisht, edhe qytetarë të cilët nuk janë të bashkuar në parti politike, qytetarë të të gjitha bashkësive etnike. Unë besoj se këto 433,000 janë të gjithë njerëz me emër dhe mbiemër, të cilët individualisht madje edhe duke i shpërfillë direktivat e partisë vendosën të votonin për mua”- u shpreh Stevo Pendarovski, President i RMV-së.

Si detyrë e parë, Presidenti vendosi angazhimin për mbrojtjen e minoritetit politik dhe ta ngrejë opozitën në një nivel më të lartë. Ai paralajmëron se së pari do ta konsultojë atë për të gjitha aktet e rëndësishme ligjore dhe pastaj pushtetin. Ai e pranon që një person nuk mund të bëjë shumë, nëse institucionet e tjera nuk funksionojnë. Në kabinetin e Pendarovskit, do të “akomodohen” pesëmbëdhjetë bashkëpunëtorë, plus sigurimi. Megjithëse gjatë fushatës njoftoi reduktim të privilegjeve ligjore, faktin që ai zhvendoset në Vodno, e justifikon me protokollet e sigurisë.

“Në pjesën e aktiviteteve të tjera do të përpiqem dhe do ta shihni atë, që nga dita e parë, me Zotin para, kur të kalojë presidenti rrugës, të mos vëreni se po kalon ai. Pra, nuk do të bllokohet i gjithë trafiku ose i gjithë qyteti të vuajë, të presë në çfarëdo kushte moti, ndërkohë që kalojnë makinat me dritat paralajmëruese.”– tha Stevo Pendarovski, President i RMV-së.

Pendarovski ka mandat pesëvjeçar të garantuar me kushtetutë. Varet nga ai nëse do të jetë president ceremonial, ose President i cili do të lërë gjurmë thelbësorë në shoqëri.

YouTube player

SHKARKO APP