Papa bën bashkë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut
Vizita e atit të shenjtë në vendlindjen e Nënë Terezës është mirëpritur nga shqiptarët të cilët kanë udhëtuar kilometra për të qenë të pranishëm në ceremonitë e organizuara. Besimet e ndryshme nuk i ka ndaluar të bëhen bashkë, madje dhe në këngë e valle shqiptare.
Shqiptarët që 5 vite më parë e pritën në tokën e tyre, prijësin e Kishës Katolike, nuk hezituan të sfidonin kilometrat, për ta përjetuar këtë moment të shënuar edhe në Maqedoninë e Veriut. Pelegrinët të ardhur thuajse nga të gjitha trojet e tregonin përkatësinë me flamuj, pankarta dhe bluza.
Shumë pak u shfaq në ekrane flamuri shqiptar për shkak të vetë situata të tensionuara që shpesh ka patur në Maqedoninë e veriut mes etnive atje, por kjo nuk i pengoi aspak besimtarët që kishin udhëtuar deri atje ta demonstronin gëzimin e tyre, edhe përmes këngëve e valleve shqipe.
Vizita e Papës në shtëpinë e shenjtores Nënë Terezë, për shqiptarët e dha mesazhin e qartë. “Kjo na bën ne shumë krenarë dhe ne duhet të na japin më shumë kurajo dhe gjithmonë jemi të mirë dhe të punojmë sa më shumë”.
Shkupi për herë të parë kishte përjetuar masa kaq të larta sigurie, ndërsa dita e martë ishte lënë pushim për administratën publike dhe institucionet arsimore. Mesazhi përmbyllës që i la popullsisë së Maqedonisë së veriut është më shumë se domethënës, që të jenë krenar dhe ta çojnë përpara veprën e Nënë Terezës.
Burimi: Ora News