Paratë e pista, politikanët e korruptuar në Maqedoni do humbasin edhe shtëpitë
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, ka filluar përgatitjet e strategjisë për hetime financiare dhe konfiskim të pasurive të pajustifikuara të politikanëve të kriminalizuar.
Përmes kësaj stategjie e cila është pjesë e planit qeveritar 3-6-9 do të ngushtohet laku për funksionarët dhe ish-funksionarët, të cilët kanë përvetësuar paratë e qytetarëve dhe pasuritë publike, me anë të praktikave korruptive.
Deputetëve, ministrave dhe ish-ministrave, drejtorëve dhe ish-drejtorëve, gjyqtarëve, prokurorëve etj; të cilët kanë shpërdoruar apo fshehur paratë e korrupsionit, do t’u konfiskohen pasuritë e tjera të ligjshme, me vlerë ekuivalente, shkruan “INA”.
Këtë e parashikon strategjia e re, e cila i ngjan ligjeve anti-mafia që janë përdorur në vende të ndryshme të Evropës dhe në rajon.
Masa e konfiskimit urdhërohet pas kryerjes së hetimit dhe dëgjimit të konkluzioneve të prokurorit dhe palëve të paraqitura në gjyq.
Por, njohësit e çështjeve juridike theksojnë se kjo strategji mund të gjejë zbatim nëse pavarësohet sistemi i jurisprudencës.
Prokurorja Speciale Publike, Katica Janeva është shprehur e bindur se asnjë person, i cili ka dëmtuar buxhetin e shtetit, nuk mund të shpëtojë nga konfiskimi i pronës që e ka përfituar në mënyrë kriminale.
Ekspertët druajnë se një pjesë e madhe e pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme është nxjerrë jashtë shtetit, gjë që do ta vështirësojë procesin e kthimit të pronës në duart e qytetarëve nga keqbërësit.
Deri më tani prona i është konfiskuar vetëm një politikani, Lube Boshkoskit, drejtues i partisë “Të bashkuar për Maqedoninë”, i cili njëherësh është edhe ish-ministër i Punëve të Brendshme.
Gjykatat në Maqedoni, masën për konfiskimin e pronës, kryesisht e kanë shqiptuar gjatë procesi të tranzicionit, kur prona shtetërore kalonte në duart e sektorit privat.
Së fundmi, Prokuroria Speciale Publike, e cila ka ngritur dhjetëra padi ndaj ish-zyrtarëve të lartë të shtetit për keqpërdorimin e detyrës zyrtare, ka kërkuar ngrirjen dhe konfiskimin e pronës në shumë raste, por gjykatat i janë përgjigjur pozitivisht kësaj kërkese vetëm në një rast, përkatësisht me kompaninë “Transmet”, të drejtuar nga Sead Kocan për të cilin rast ka ngritur padi Specialja.