Patrullime të përbashkëta policore mes Serbisë dhe Kinës në Beograd

Policia e Serbisë mori përforcimet e saj të para policore nga Kina për të përballuar një numër në rritje të turistëve dhe punëtorëve kinezë. Gjashtë oficerë të policisë kineze arritën për një muaj patrullim të përbashkët me homologët e tyre serbë.

Ceremonia e mirëseardhjes u mbajt të mërkurën në qendër të Beogradit.

Serbia është përfshirë në planin “Një brezë, një rrugë” të Kinës, i cili ka hapur lidhje tregtare për kompanitë kineze dhe ka lëvruar një miliard dollarë kredi për ndërtimin e hekurudhave, rrugëve, termocentraleve dhe infrastrukturës së telekomit në Serbi, por kryesisht duke punësuar punëtorë kinezë.

Mijëra turistë kinezë po vizitojnë gjithashtu Beogradin dhe dy qytete të tjera serbe, ku dy patrulla të tjera policie pritet të dislokohen më vonë këtë vit.

Ambasadorja kineze në Serbi Chen Bo njoftoi se do të krijohet një linjë telefonike për shtetasit kinezë që do të vizitojnë komunitetet lokale kineze dhe ndërmarrjet dhe institucionet me financim kinez në Serbi. Ajo tha se prania reciproke e policisë serbe do të fillojë së shpejti edhe në Kinë.

Në prill, Serbia dhe gjigandi i debatueshëm i teknologjisë kineze Huawei filluan një projekt të quajtur ‘Qytetet e Sigurta’, i cili përfshin montimin e qindra kamerave të mbikqyrjes në Beograd dhe zhvillimin e programeve kompjuterike për identifikimin nëpërmjet fytyrës.

Kina, në fillim të kësaj vere, filloi patrullime të ngjashme me dy vende anëtare të Bashkimit Evropian, Kroacinë dhe Italinë.

SHKARKO APP