PDSH, qëndrime të paqarta për mbështetjen e Besës
Kreu i PDSH-së Menduh Thaçi i kontaktuar nga Alsat ka refuzuar të sqarojë nëse ka hequr dorë nga mbështetja e Lëvizjes Besa. Ai nuk komentoi as zërat nëse kjo parti ka filluar bisedimet me BDI-në për pjesëmarrje të mundshme në qeveri me VMRO DPMNE-në. Thaçi tha shkurt se nuk dëshiron të japë deklaratë politike.
Nga ana tjetër dyshimet për ndryshim të qëndrimit të PDSH-së u ngritën pas deklaratës së anëtarit të kryesisë qendrore të PDSH-së Azem Sadiku i cili në një emision në Televizionin 21 një natë më parë hodhi poshtë idenë që Thaçi të ketë ofruar mbështetje të pakushtëzuar për Lëvizjen Besa.
Sadiku tha se PDSH do ta mbështesë me deputetët e saj Lëvizjen Besa vetëm për çështjet madhore siç do të vepronte edhe me partitë e tjera shqiptare. Ndryshe nga kreu i partisë Thaçi, i cili fitues të zgjedhjeve në bllokun shqiptar kishte shpallur Lëvizjen Besa, Sadiku tha se fitues i këtyre zgjedhjeve është BDI-ja.