PE “ultimatum” Turqisë, i kërkon BE-së pezullimin e bisedimeve nëse…

Parlamenti Europian i kërkoi BE-së pezullimin e bisedimeve të anëtarësimit me Turqinë, nëse kjo e fundit vë në jetë ndryshimet kushtetuese të mbështetura nga referendumi i muajit prill, të cilat zgjerojnë ndjeshëm fuqinë e presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Vet PE-ja e ka të kufizuar mundësinë e veprimit mbi këtë çështje.

Udhëheqësit e bllokut kanë qenë kritikë ndaj Erdoganit dhe qëndrimit të tij kundrejt kundërshtarëve, si përpara, ashtu edhe pas grushtit të dështuar të shtetit, që u pasua nga masa të egra të presidentit ndaj të konsideruarve komplotistë dhe të dyshuarve si bashkëpunëtorë të tyre.

Por, krerët europianë tregohen nga ana tjetër të kujdesshëm të mos minojnë marrëveshjen e arritur vitin që shkoi me Turqinë, e cila praktikisht frenoi fluksin e papërballueshëm të emigrantëve, duke zbutur kështu kërcënimin që po i sillte kriza e shkaktuar prej tyre unitetit të BE-së.

Rezoluta e miratuar të enjten në Parlamentin Europian i kërkon Komisionit dhe vendeve anëtare, që në përputhje me kornizën e bisedimeve, të pezullojnë pa vonesë negociatat e anëtarësimit me Turqinë, nëse reforma e saj e paketave implementohet pa ndryshime.

Erdogan këmbëngul se zgjerimi i pushtetit të tij është i nevojshëm për të garantuar stabilitetin e Turqisë, por partitë opozitare dhe grupet e të drejtave të njeriut argumentojnë se, të ashtuquajturat ndryshime të propozuara rrezikojnë seriozisht pavarësinë e Gjyqësorit dhe e shtyjnë Turqinë drejt sundimit të një njeriu të vetëm.

SHKARKO APP