Pendarovski: Tensionet në Kosovë nuk mund të na rrezikojnë

Tensionet në Republikën e Kosovës nuk mund të rrezikojnë stabilitetin Maqedonisë së Veriut dhe të rajonit, deklaroi Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti i vendit realizoi vizitën e parë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Shtatmadhorinë e Armatës, pas çka mbajtën një konferencë për media me ministren Radmilla Shekerinska ku u pyetën rreth tensioneve të fundit në Republikën e Kosovës dhe mundësinë e korrigjimit të kufijve.

Presidenti Pendarovski tha se institucionet kompetente me vëmendje e kanë ndjekur gjendjen në kufirin mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës dhe se kanë qenë në bashkëpunim me forcat e KFOR-it.

“Vlerësimet e shërbimit të KFOR-it në Kosovë dhe të faktorëve kyç ndërkombëtarë, si dhe të institucioneve tona që bashkëpunojnë me ta, janë se në të ardhmen, edhe po të ketë situata të ngjashme, ato nuk do të jenë me proporcione të tilla që ta rrezikojnë sigurinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, e as të rrezikojnë sigurinë në rajon”, tha Pendarovski.

Ai gjithashtu u shpreh kundër idesë së korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se ide të këtilla nuk i takojnë shekullit të 21-të.

Duke komentuar tensionet e fundit në Kosovë, ministrja e mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, Radmilla Shekerinska, theksoi rëndësinë e anëtarësimit të vendit në NATO.

“Për këtë në vitin 2017 e vendosëm fokusin në anëtarësimin tonë në NATO, në mënyrë që të sigurojmë që shteti ynë të ketë garanci shtesë të sigurisë, madje edhe në rast të jostabilitetit rajonal. Pikërisht për këtë nuk presim as ndikim të drejtpërdrejtë në siguri, e as ndikim ndaj treguesve ekonomikë”, tha Shekerinska.

Tensionet në Republikën e Kosovës u përshkallëzuan pas operacionit policor të realizuar të martën, ku u arrestuan 19 pjesëtarë të Policisë së Kosovës të dyshuar për disa vepra penale, mes tjerash “pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal”.

Aksioni u karakterizua me rezistencë të caktuar, ku si pasojë gjatë aksionit u lënduan pesë policë, njëri prej të cilëve mori plagë nga armë zjarri.

SHKARKO APP