Përfundon dita e parë e gjyqit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ja çfarë pritet të ndodhë më tej
Me deklaratën e mbrojtësit të viktimave, këtë të hënë ka përfunduar dita e parë e gjykimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Më 4 prill, ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, do të nisin deklaratat e tyre hapëse, në rastin që ka të bëjë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, tha se procesi gjyqësor duhet të përqendrohet në atë që të zbulohet e vërteta dhe po ashtu është e rëndësishme që të pranohet faji. “Ata kanë të drejtën që të zbulohet e vërteta, të dëgjohen dëshmi dhe të pranohen vuajtjet që kanë kaluar dhe përvojat që kanë kaluar”, tha ai.
Për të viktimat shqiptare janë bërë përpjekje që të turpëroheshin dhe të mos flisnin, por sipas tij kjo nuk ka funksionuar. Viktimat serbe të këtij rasti, sipas Laws, nuk ishin subjekt “i të njëjtës trysni. Çmimi që u desh të paguanin ishte jeta në mërgim”, tha ai.
Mbrojtësi i viktimave po ashtu kërkoi që gjykimi të përqendrohet në pranimin “e dëmit” që u është shkaktuar viktimave. /REL/