Përkujtohet masakra e 12 gushtit në Luboten, tmerr e frikë kur përmendet kjo datë
Tmerr, frikë, krisma, zëra të njerëzve… këto u vijnë në mend banorëve të fshatit Luboten kur përmendet 12 gushti i vitit 2001. Edhe pse kanë kaluar 16 vite tashmë, koha nuk ka arritur t’u fshijë dhimbjen dhe kujtimet e hidhura të masakrës së Lubotenit.
16 vite më parë, në kohën kur një pjesë e Maqedonisë ishte e përfshirë nga lufta, forcat maqedonase të sigurisë zhvilluan operacion të ndërhyrjes në fshatin Luboten, ku vranë 10 civilë shqiptarë, duke mos kursyer as 6 vjeçarin, Erxhan Aliu. Për familjen Aliu mbeten të freskëta pamjet e asaj dite të kobshme, ku në mesin e krismave të shumta që u kanë futur frikën deri në palcë e pësoi edhe biri i tyre.
Nëna e Erxhanit përshkruan me detaje se si ia dorëzuan asaj trupin e të birit të goditur me granadë, të cilin mezi ka arritur ta njohë.
Nëna Havushe, mezi arriti të mbante lotët, teksa tregonte se si me një dritë qiriri dhe në mesin e krismave të shumta, ruajtin trupin e të birit gjatë gjithë natës, për ta varrosur ditën e nesërme në kopshtin e shtëpisë së gjyshërve të tij.
“Djali doli të luajë me djalin e madh. Babai i Erxhanit ka qenë tek xhaxhai i tij. Djali i madh erdhi, Erxhani nuk erdhi. Kur shpërtheu granada, djali i xhaxhait Erhani dhe na e solli djalin e vrarë. Nuk arritëm ta varrosim. E kemi mbajtur me një qiri të vogël, sepse gjuanin me granada shumë. Të nesërmen e kemi varrosur në kopshtin ku rrinin vjehrria ime. Në orën 3 e kemi varrosur, më vonë morën babain e Erxhanit, unë mbeta me pleqtë dhe me Erollin”, ka deklaruar për mediat kosovare, Havushe Aliu, nëna e Erxhanit.
Babai i Erxhanit Hisniu, thotë se edhe pas 16 vitesh, atyre u rri akoma para syve pamja e shkatërruar e të birit. Ata e përjetojnë shumë rëndë këtë ditë, ku pas një dhimbjeje të madhe për të birin, policia arrestoi atë dhe vëllain e tij, duke i mbajtur në burg për më shumë se katër muaj.
“Neve 12 gushti na kujtohet si dita më e vështirë e jetës sonë. Na kanë vrarë, na kanë burgosur, na kanë keqtrajtuar. Me 12 gusht m’u vra djali. Pas dy ditësh na burgosën neve”, deklaron Hisni Aliu, babai i Erxhanit.
Viktimat e tjera të masakrës së Lubotenit janë edhe Dalip Murati, Muharrem Ramadani, Memet Memeti, Rami Jusufi, Xhelal Bajrami, Kadri Jashari, Bajram Jashari, Sulejman Bajrami dhe Atulla Qaili.
Gjithashtu në këtë periudhë në Luboten u dogjën edhe 14 shtëpi të fshatit, ndërsa u arrestuan dhe keqtrajtuan mbi 100 banorë të tjerë të fshatit, me arsyetimin se në fshat ishin të pranishëm pjesëtarë të UÇK-së.
Për krimet e kryera ndaj civilëve shqiptarë, Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte dënoi me 12 vjet burg ish-pjesëtarin e lartë të forcave të sigurisë maqedonase, Johan Tarçullovski, për vrasje, thyerje të ligjeve të luftës, torturë dhe shkatërrim të pasurisë, ndërsa i akuzuari i parë ish-ministri i Brendshëm, Lube Boshkovski u lirua nga akuza. Tarçullovski pas mbajtjes 8 vite në burg është liruar.