Përmbytje në Malishevë, mbyllen shkollat

Si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm dhe të pandërprera, lumi Mirushë ka dalë nga shtrati, duke shkaktuar kështu përmbytje në disa pjesë të Malishevës.

Po ashtu edhe në vendbanimet e tjera situata është e ngjashme, për pasojë të gjitha shkollat në Malishevë sot janë mbyllur, ndërsa kjo ditë e humbur do të zëvendësohet një ditë tjetër, transmeton Koha.net.

Rrugët Malishevë-Kijevë, Mirushë-Gurbardh, si dhe qendra e qytetit në Malishevë, janë të pakalueshme, ndërsa gjendja e rëndë është në aksin rrugor Malishevë-Autostradë-Duhël.

Gjendja e rënduar është edhe në liqenin Mirusha, pasi uji ka mbuluar edhe digën, ndërsa në disa vende, përkatësisht përgjatë rrjedhës së lumit Mirusha, është e rënduar. Në disa shkolla uji pothuajse ka hyrë në objekte.

Qytetarëve u është bërë thirrje të mos lëvizin pa nevojë, pasi gjendja në rrugë është e rënduar.

Të gjitha ekipet emergjente janë në terren për t’i ndihmuar qytetarët që kanë nevojë, si drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, Njësia e zjarrfikësve dhe shpëtimit dhe Policia e Kosovës.

SHKARKO APP