Përplasja e ashpër Shkup-Beograd, analistët zbardhin të fshehtat: Në funksion të politikës së brendshme
Tërheqja e diplomatëve serbë nga Shkupi është komentuar në Beograd si përgjigje e Serbisë ndaj përgjimit të tyre në Maqedoni, e mbështetjes së Kosovës në përpjekjet e saj për anëtarësim në UNESCO.
Mediet serbe e raportuan ngjarjen me tituj bombastikë si “Zaevi i ka shpallur luftë Serbisë”, “Vëllaçko Zaevi na futi thikën pas shpine”, “Maqedonasit kanë përgjuar madje edhe vet Vuçiçin”.
Shtypi i atjeshëm citon edhe kreun e Partisë Demokrate Serbe në Maqedoni, Ivan Stoilkoviç, të thotë se “personeli i Ambasadës serbe në Shkup është trajtuar si ai i Ambasadës së Iranit”, një vend i konsideruar “sponsor i terrorizmit”.
Por analisti Aleksandar Popov paralajmëron se, me veprime të tilla, siç ishte tërheqja e personelit të Ambasadës, Serbia po shndërrohet në faktor destabiliteti në rajon. Masat ndaj Maqedonisë janë të ashpra e të pazakonshme dhe e kontestojnë besueshmërinë e Beogradit si faktor paqeje në rajon, arsyeton ai.
Përplasje qëndrimesh sheh edhe opinionisti Bojan Elek. Serbia, nga sa vëren Elek, po sillet në forma të ndryshme: një herë si faktor i ruajtjes së stabilitetit, herë të tjera si element që ushqen paqëndrueshmërinë.
“Serbia ka kapacitete të mëdha për destabilizimin e rajonit dhe këto kapacitete po i përdor edhe për qëllime të brendshme politike”, nënvizon analisti. Kjo nënkupton sipas tij shkaktimin e krizave të përhershme dhe krijimin e bindjes për cënimin e Serbisë nga vendet fqinje, me qëllim ruajtjen e pushtetit në vend.