Policët e rrëmbyer, Kurti: I takoi ambasadori ynë, u morën me forcë nga 15 serbë duke ngrënë bukë
Këtë të martë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministren e Jashtme, Donika Gërvalla folën për rrëmbimin e tre policëve kosovarë nga forcat serbe. Kurti tha se ambasadori i Kosovës në Beograd, Jetish Jashari i ka takuar të tre policët veçmas nga njëri-tjetri dhe që të tre ata kanë dhënë të njëjtin version në lidhje me atë që ka ndodhur, çka sipas Kurtit vërteton edhe njëherë faktin se ata janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës.
“Ambasadori ynë, drejtuesi i zyrës sonë ndërlidhëse në Beograd, Jetish Jashari i ka vizituar të tre policët në Serbi dhe ka folur me ata veç e veç dhe përshkrimi i policëve është i njëjtë.
Ata thonë që kanë qenë te tryeza e improvizuar për ngrënie, pra kanë qenë duke ngrënë drekë së bashku, kur 15 persona i kanë sulmuar dhe i kanë rrëmbyer.
Ata kanë qenë vetëm 7 metra larg veturës së policisë. Ata ishin në krye të detyrës dhe ishin brenda territorit tonë. Ndaj ne kërkojmë lirimin sa më parë të policëve tanë”,-tha Kurti.