Policët maqedonas patrullojnë resortet shqiptare
Ndërsa numri i qytetarëve maqedonas që kalojnë pushimet e verës në jug të Shqipërisë rritet, policia maqedonase do të vendoset për herë të parë në qytetin bregdetar jugor të Sarandës.
Nga Fatjona Mejdini
Numri i qytetarëve nga Maqedonia që vijnë të pushojnë në Shqipëri gjatë verës është rritur deri në atë pikë saqë Shqipëria i ka kërkuar policisë maqedonase ta ndihmojë të patrullojë vendpushimet.
Pas një marrëveshjeje midis Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë dhe asaj të Maqedonisë, këtë verë, për herë të parë, policia nga Maqedonia fqinje do të ndihmojë policinë shqiptare të kujdeset jo vetëm për policinë rrugore, por gjithashtu edhe krimin.
Kreu i Policisë Rrugore Shqiptare, Mitat Tola, tha për BIRN se një ndihmë e tij nevojitet në pikun e sezonit në muajt korrik dhe gusht.
Në këmbim, tha ai, policia shqiptare do të ndihmojë në ruajtjen e rendit në qytetin turistik maqedonas të Ohrit.
Ndërkohë, policia maqedonase do të patrullojë dhe do të ruajë rendin në qytetin jugor të Sarandës, i cili po bëhet një destinacion gjithnjë e më i preferuar për maqedonasit, pjesërisht për shkak të afërsisë së tij me ishullin grek dhe qendrën turistike të Korfuzit.
“Ndihma është bërë e nevojshme duke marrë parasysh trendin në rritje midis qytetarëve nga Maqedonia për të kaluar pushimet e tyre verore në Shqipëri, sidomos në jug,” tha Tola.
Që në maj, mediat në Maqedoni kanë raportuar një rritje të numrit të njerëzve që kalojnë pikën kufitare të Qafë Thanës në Shqipëri për t’iu drejtuar më pas plazheve të jugut.
Tola tha se nisma e fundit ishte në përputhje me bashkëpunimin e rënë dakord midis policisë në Ballkan në luftën e tyre kundër krimit.
Tashmë për tetë vjet me radhë, policia nga Kosova ka ndihmuar Shqipërinë gjatë muajve të verës, kryesisht në veriperëndim të Shqipërisë. Vizitorët nga Kosova i drejtohet kryesisht zonave bregdetare të Shëngjinit dhe Durrësit.
Policia nga Kosova patrullon gjithashtu me automjetet dhe pajisjet e saj, përveçse i bashkohet edhe patrullave që përbëhen nga policë nga të dy vendet. BIRN