Policia serbe ndalon ultranacionalistin Sheshel të mbajë një miting
Policia serbe ka bllokuar të gjitha rrugët që çojnë në një fshat në veriperëndim të Beogradit, për të parandaluar liderin ultranacionalist, që të mbajë një tubim atje.
Vojsllav Sheshel ka planifikuar që të mbajë një tubim në fshatin Hrtkovvi, për të shënuar 26-vjetorin e mbajtjes së një fjalimi të tij atje, të cilin, gjykatësit e Kombeve të Bashkuara për krime lufte, e kanë cilësuar si krim kundër njerëzimit për shkak se “ka nxitur dëbim dhe persekutim”.
Një protestues nga një grup rival është lënduar lehtë pas një konfrontimi me mbështetësit e Sheshelit, përpara se policia të ndalonte përshkallëzimin e mëtejmë të situatës, transmeton Reuters.
Policia serbe ndaloi që tubimi të mbahej në fshatin Hrtkovci, për shkak se minoriteti kroat që jeton aty, ndihej i kërcënuar.
Shumica e popullsisë kroate që ka jetuar në këtë fshat është shpërngulur nga aty në konfliktin e viteve të 90-ta.
“Ne duam të mbajmë një tubim paqësor dhe regjimi na e ndaloi këtë pa na dhënë shpjegim”, u tha gazetarëve Sheshel.
Teksa Sheshel po largohej, mbështetësit e Partisë Liberale Demokratike, mbajtën në duar parulla ku shkruej “Shesheli është kriminel lufte”. Kjo nxiti konfrontim në mes të protestuesve./REL