Politikën e ka në gjak, kush është Kyriakos Mitsotakis
Vjen nga një familje që prej dekadash ka mbizotëruar politikën greke. Kryetari i Demokracisë së Re, Kyriakos Mitsotakis pritet të jetë, sipas sondazheve, kryeministri i Greqisë.
Ai e ka politikën në gjak. Babai i tij, Konstantinos Mitsotakis, ishte kryeministër i Greqisë në fillim të viteve ‘90, ndërsa motra e tij Dora Bakojanis kryetare e Bashkisë së Athinës dhe më pas ministre e Jashtme.
Së bashku me socialisten Papandreu dhe konservatoren Karamanlis, familja Micotaqis ka dominuar skenën politike greke për vite me radhë. Kur partia Demokracia e Re ra nga pushteti në janar të vitit 2015 përballë radikalëve të majtë të Syrizës, në radhët e saj pati një revolucion.
Garda e vjetër doli jashtë loje, e fajësuar për përkeqësimin e situatës ekonomike dhe masat e ashpra anti-krizë. Tani Mitsotakis thotë se do rikthejë Greqinë në gjendjen e dikurshme, përpara se të rraskapitej nga kriza ekonomike, rritja e taksave dhe shkurtimi i të ardhurave.
I konsideruar një liberal, 51-vjeçari mori drejtimin e Demokracisë së Re në janar të 2016-s, disa muaj pasi partia kishte humbur në një vit dy palë zgjedhje dhe një referendum. Menjëherë, ai nisi sulmet ndaj qeverisë populiste të Aleksis Tsipras.
Por çfarë do të bëjë Micotaqis nëse fiton zgjidhet? Gjatë fushatës, ai premtoi se do të ulë taksat, do të zhbllokojë privatizimet dhe do të ringjallë shtresën e mesme të goditur nga kriza. Megjithatë, ai do t’i ketë sërish duart e lidhura pasi vendi do të vazhdojë të jetë nën mbikëqyrjen ndërkombëtare, pavarësisht mbylljes së programit të ndihmave vitin e kaluar. Por lideri i Demokracisë së Re beson se hapësira për reduktimin e taksave ekziston.