Pranga shqiptarit, plagosi me thikë gruan e tij greke
Një shqiptar në Greqi është arrestuar pasi ka plagosur me thikë gruan e tij greke.
Ngjarja ndodhi në lagjen “Nea Ionia” në Volos, ndërsa mediat greke raportojnë se në momentin që burri po e qëllonte, gruaja shpërtheu në të bërtitura.
Sipas “Protothema”, në kulmin e një sherri në banesë, mes gruas greke dhe shqiptarit, me të cilin ka një fëmijë, ai e ka qëlluar të renë me thikë në shpinë dhe pjesë të tjera të trupit.
Shqiptari, gjeneralitetet e të cilit nuk bëhet me dije, pas sulmit doli nga banesa dhe u largua me makinë.
Por pak çaste më vonë u ndalua dhe u shoqërua në polici.
Në raportimet e medieve helene, nuk sqarohet nëse autori i plagosjes dhe 27-vjeçarja greke ishin të martuar.
E plagosura u transportua në spital me një autoambulancë, dhe pas një ndërhyrjeje kirurgjikale ndodhet jashtë rrezikut për jetën.