Pranimi i medaljes nga ish-presidenti Mujica shokon boshnjakët

Banorët e Bosnjës kanë reaguar me zemërim ndaj lajmit se Jose Mujica, ish-presidenti i njohur i Uruguait, pranoi të hënën Urdhrin e Republikës Srpska, dekorimin më të lartë të entitetit të dominuar nga serbët e Bosnjës dhe Hercegovinës.

“Jose Mujica duhet të jetë shumë i painformuar rreth mikpritësve të tij” tha për BIRN Ines Tanovic, një aktiviste boshnjake nga Sarajeva. “Mujica qëndron në thelb të vlerave që janë pikërisht në kundërshtim me politikat e Milorad Dodik”, shtoi ajo, duke iu referuar kryetarit të RS.

Autoritetet e RS i dhanë ish-presidentit të Uruguait Urdhrin e Republikës Serbe “për triumfin e idesë së barazisë dhe për luftën e tij për drejtësi sociale dhe për mbështetje të njerëzve të varfër në mbarë botën”, tha kabineti i Kryesisë së RS për agjencinë e lajmeve SRNA.

“Jam shumë i nderuar që të jem me ju sot, sepse unë jam i rrethuar nga njerëz të mirë”, Mujica tha gjatë marrjes së çmimit.

“Jam i vetëdijshëm për dramën e popullit të Jugosllavisë. Shpresoj që një ditë… lufta nuk do të jetë e nevojshme për të zgjidhur problemet”, përfundoi ai.

Urdhri i Republikës Srpska është njohja më e lartë e entitetit. Krijuar në vitin 1993, ajo është caktuar për njerëzit me “merita të shquara”.

Në të kaluarën, urdhri është dhënë – mes të tjerash – për ish-komandantin e ushtrisë serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiç, ish-presidentin serb, Sllobodan Millosheviç, si dhe për ish-krerët boshnjakë serbë si Radovan Karaxhiç dhe Momcilo Krajsnik, të dy të shpallur fajtorë nga Gjykata e Hagës për Krime të Luftës.

Mujica vizitoi Republikën Srbska të hënën, si pjesë e një udhëtimi të organizuar në rajon. Pasi vizitoi Serbinë të shtunën dhe takoi kryeministrin serb Aleksandar Vuçiç, udhëtoi për në Republikën Srpska të hënën dhe u takua me Dodik dhe regjisorin e filmit, Emir Kusturica në Andricgrad, një qytet i vogël i ndërtuar në lindje të Vishegradit.

Mujica, i cili ishte president i Uruguait nga viti 2010 dhe 2015, ishte dikur anëtar i “Tupamaros”, një grup gueril urban i cili luftoi gjatë viteve 1960 dhe 1970.

Gjatë presidencës së tij, ai arriti popullaritet botëror dhe ndihmoi në legalizimin e kanabisit, në martesat mes homoseksualëve dhe abortin në Uruguaj.

Sipas gazetës britanike The Guardian, Mujica u bë një simbol për shumë njerëz për stilin e tij të kursyer të jetës.

Si president i Uruguait, Mujica ia dorëzoi 90 për qind të pagës së tij 12,000-dollarëshe njerëzve të varfër dhe sipërmarrësve të vegjël dhe vazhdoi të jetojë në një shtëpi të thjeshtë dhe të ngiste makinën e vet 25-vjeçare, duke u bërë i njohur si “presidenti më i varfër në botë”.

Srdjan Puhalo, një analist politik nga Banja Luka, tha se dhënia e çmimit për Mujica ishte vetëm “një performancë” e projektuar për të përmirësuar imazhin e Republikës Srbska në mbarë botën.

Më herët të hënën, Dragan Bursaç, një kolumnist për faqen e internetit Buka, me bazë në Banja Luka, kërkoi që Mujica ta refuzojë çmimin, duke thënë se klasa politike në RS përfaqëson një antitezë të idealeve të tij.

“Të njëjtit njerëz të cilët do t’ju jap çmimin janë pasuruar me paratë që kanë vjedhur nga populli për dekada të tëra”, shkroi Bursaç.

“Medalja që po ju japin nuk është për ju… është për ata, të cilët po ju shfrytëzojnë juve për fushatën e tyre politike… dhe asgjë më shumë”, përfundoi Bursaç.

BIRN

SHKARKO APP