Presidenti i ri i Maqedonisë së Veriut zgjidhet më 21 prill
Nga Deutsche Welle
Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferri, shpalli zyrtarisht zgjedhjet presidenciale duke bërë thirrje për zbatimin e normave ligjore: “Qytetarë të nderuar unë jam i bindur se të gjithë palët e përfshira do të jenë të përgjegjshme për të organizuar zgjedhje të lira dhe demokratike meqë ato do të jenë kyç që vendi të marrë datë për fillimin e negociatave me BE-në”, theksoi kryeparlamentari. Partitë politike deri tani nuk kanë shpallur kandidatë për zgjedhjet që pasojnë.
Dy partitë më të mëdha maqedonase LSDM dhe VMRO-DPMNE kandidatët e tyre kanë vendosur t’i zgjedhin përmes konkursit publik. Nga partia e kryeministrit Zoran Zaev LSDM ende nuk kanë dalë me emër konkret për kandidat për president, një vendim të tillë sipas paralajmërimeve të deritanishme kjo parti do ta marrë më 3 mars kur edhe do të mbahet Kongresi i partisë.
“Duhet të bëjmë një analizë të përgjegjshme dhe te gjejmë personalitete, që mund të qëndrojmë ne si politikanë dhe parti politike.Të gjejmë një personalitet ku qytetarët do qëndrojnë bindshëm pas tij, ai do të ishte kandidati konsensual, i cili do t’i implementojë politikat e kësaj jete të shekullit 21. I bëj thirrje BDI, BESËS së Gashit, BESËS se Kasamit, Aleancës, Partive turke ti bashkojmë forcat. Deri më 21 mars parashtrohen kandidaturat dhe ka mjaftueshëm kohë të analizojmë. Duhet të gjithë së bashku te gjejmë personalitetin e vërtetë ”, deklaroi Zoran Zaev kryeministër i Maqedonisë.
Dështimi momental i kandidatit konsensual midis BDI-së dhe LSDM-së erdhi si pasojë e mungesës së reciprocitetit midis partnerëve të koalicionit qeverisës, deklaron kryetari i BDI-së Ali Ahmeti. “Unë nuk mund të votoj një kandidat që votohet në kongresin e LSDM-së, sepse nuk e duron elektorati. Unë në dasmë të huaj nuk shkoj, as në dasmë pa thirrur nuk shkoj dhe këto lëvizje që u bënë nga LSDM-ja janë të papërgjegjshme, nga disa anëtarë të udhëheqjes, mua më vendosën në një situatë ta them me shpatulla për muri para elektoratit tim. Ne as patericë s’kemi qenë, as bisht nuk jemi, as nuk bëhemi dhe është bërë një analizë goxha e thellë dhe ne vendosëm që të dalim me kandidat tonin”,thekson kryetari i BDI-së Ali Ahmeti. Megjithatë, Ahmeti i lë të hapura të gjitha opsionet deri në publikimin e kandidaturave në mars. Kreu i BDI-së fton edhe partitë shqiptare të jenë të matur në deklarimet e tyre sa i përket mundësisë së kandidatit të përbashkët. Ahmeti thotë, se BDI është kundër një krize të re politike, e cila mund të krijohej me dështimin e presidencialeve.
BDI dhe LSDM ende besojnë në kandidatin konsensual
Deputeti i BDI-së Xhevat Ademi është shprehur optimist, se partnerët e koalicionit do të pajtohen për një kandidat të përbashkët. “LSDM-ja nuk ka përcakuar kandidaturë. Ata i ndjekin procedurat e veta partiake ashtu siç i ndjek BDI-ja. Ashtu siç BDI është larg nga emri i kandidatit për president, ashtu edhe LSDM-ja është larg nga kandidatura. Unë shpreh një mendim personal, kam informacion, bindje dhe shpresë se shumica parlamentare në emër të filozofisë së re që po ndërtohet në Maqedoni, në zgjedhjet presidenciale, të bëj çmos që të dalë me kandidat konsensual”, thekson Xhevat Ademi deputet i BDI-së.
Zëvendëskryetarja e LSDM-së Radmilla Shekerinska beson se LSDM dhe BDI do të gjejnë zgjidhje të përbashkët mbi kandidatin për president të shtetit. “Unë besoj se koalicionet janë partneritet. Kjo do të thotë se askush nuk duhet të besoj? verb?risht. Jo vetëm me partnerët e koalicionit qeveritarë+, por edhe me partnerët e koalicionit parazgjedhor neve do të bisedojmë. Besojmë se parteritetet janë për t’u dëgjuar, biseduar dhe gjetur zgjidhjen e përbashkët për Maqedoninë”, thotë Radmilla Shekerinska.
Opozita maqedonase me më shumë kandidatë për president
Në partin? më të madhe opozitare maqedonase VMRO-DPMNE janë kandiduar nëntë persona për postin e presidentit. Kandidatët do të prezantojnë programet e tyre deri më 16 shkurt kur do të mbahet konventa e partisë në Strugë, ku edhe do të përzgjidhet kadidati për president.
“VMRO-DPMNE do t’u mundësojë të gjithë të paraqiturve qasje të barabartë deri tek komitetet komunale të parties në periudhën deri më 16 shkurt, me qëllim që ata të prezantojnë programin dhe vizionin për Maqedoninë. Të gjithë kandidatët do të kenë trajtim të njëjtë dhe mundësi të njëjta për t’u përzgjedhur, në përputhje me parimet dhe demokracinë”,deklaron nënkryetari i VMRO-DPMNE-së Vllado Misajllovski.
Opozita shqiptare në kërkim të kandidatit për president
Aleanca për Shqiptarët është duke i shqyrtuar disa emra për kandidatë përzgjedhjet presidenciale thotë kryetari i ASH-së Ziadin Sela. “Ne nuk kemi nevojë të bëjmë garë që të dalim menjëherë me emra, në shqyrtim kemi disa emra të cilat do të diskutohen në Kryesinë Qendrore”, pohon Sela. Ai nuk deshi të bëjë të ditur emra pasi tha, se debati është duke vazhduar. Përveç zgjedhjeve presidenciale, ASH-ja është duke diskutuar edhe për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nënkryetari i Partisë Demokratike Shqiptare PDSH Azem Sadiku ka deklaruar se partia e tyre ende nuk ka vendosur se a do dalin në zgjedhje presidenciale me kandidatin e tyre. “Ne ende nuk kemi marrë vendim nëse do të dalim me kandidat për president, por mbisundon ideja të mos nxjerrim kandidat tonin partiak. Një gjë është e sigurtë, kandidati shqiptar nuk fiton dhe është detyrë e jona që të maksimalizojmë peshën e votës shqiptare”, shprehet Sadiku.