Presidenti Ivanov: Bisedimet mes Zaevit dhe Cipras janë personale, nuk i pranojmë
Presidenti i Maqedonisë Gjorgje Ivanov tha sot se i gjithë procesi i zgjidhjes së emrit ngjan në marrëveshje personale mes kryeministrave Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras. Ai këtë qëndrim e ka shprehur pas takimit që ka pasur me ministrin e jashtëm Nikola Dimitrov, ku është informuar për rrjedhën e negociatave.
“Në këtë mënyrë Zaev nuk ka siguruar konsensus nacional në Republikën e Maqedonisë. Qëndrimi im është se nuk pranoj zgjidhje për çështjen e emrit për përdorim të përgjithshëm, apo erga omnes”, deklaroi Ivanov.
Ai tha se çdo marrëveshje duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën. “Tërë procesi duket si marrëveshje personale mes kryeministrit Zaev dhe kryeministrit Cipras, për çka nuk është siguruar konsensus nacional në Maqedoni Qëndrimi im është se nuk pranoj zgjidhje për çështjen e emrit për përdorim të përgjithshëm ose erga omnes”, ka deklaruar presidenti në takim.
Ivanov ka theksuar gjithashtu se nënshkrimi i marrëveshjes ndërkombëtare duhet që të jetë në pajtueshmëri me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, dhe jo të parasheh ndryshimin e saj.